Legjislacioni shqiptar

LIGJI

Nr.9062, datë 8.5.2003

Kodi i Familjes

Në mbështetje të neneve 53, 54, 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:

Pjesa e parë

Parime të Përgjithshme

Neni 1

Martesa, si një bashkëjetesë ligjore, mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit në familje. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit.

Neni 2

Prindërit, organet kompetente dhe gjykatat, në vendimet dhe veprimtarinë e tyre, duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës.

Neni 3

Prindërit kanë detyrë dhe të drejtë të kujdesen për mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të lindur nga martesa ose jashtë martese. Shteti dhe shoqëria duhet t’u ofrojnë familjeve mbështetjen e nevojshme për të mbajtur në gjirin e tyre fëmijët, për të parandaluar keqtrajtimin dhe braktisjen e tyre, si dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes.

 Neni 4

Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si fëmijët e lindur nga martesa.

Neni 5

Çdo fëmijë, për një zhvillim të plotë dhe harmonik të personalitetit, ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar, në një atmosferë gëzimi, dashurie dhe mirëkuptimi.

Neni 6

Në çdo procedurë që i përket të miturit, ai ka të drejtë të dëgjohet, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar, duke ruajtur të drejtën që i japin dispozitat e veçanta që garantojnë ndërhyrjen dhe dhënien e pëlqimit nga ana e tij. Në rastet kur i mituri kërkon të dëgjohet, kërkesa e tij nuk mund të rrezohet, veçse për shkaqe të rënda dhe me një vendim tepër të motivuar.

I mituri mund të dëgjohet vetë, nëpërmjet një avokati ose një personi të zgjedhur prej tij. Në çdo procedurë që i përket të miturit, prania e psikologut është e detyrueshme për të vlerësuar thëniet e të miturit, në përputhje me zhvillimin mendor dhe situatën e tij sociale.

Pjesa e dytë

Bashkëshortët

Titulli I

Martesa

Kreu  I

Kushtet thelbësore për lidhjen e martesës

Neni 7

Mosha e lidhjes së martesës

Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.

 Neni 8

Pëlqimi i bashkëshortëve

Martesa lidhet para nëpunësit të gjendjes civile, me pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve të ardhshëm.

Neni 9

Ndalimet për lidhjen e martesës

Nuk mund të lidhë martesë teë re personi që është martuar, derisa martesa e mëparshme nuk është shpallur e pavlefshme ose nuk është zgjidhur.

 Neni 10

           Nuk mund të lidhin martesë midis tyre të paralindurit dhe të paslindurit, vëllai dhe motra, ungji dhe mbesa, emta dhe nipi, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe të motrave. Gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën midis fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave.

Neni 11

Nuk mund të lidhin martesë midis tyre vjehrri dhe nusja, vjehrra dhe dhëndri, njerku dhe thjeshtra, njerka dhe thjeshtri, pavarësisht se martesa që ka krijuar këtë lidhje është shpallur e pavlefshme, ka pushuar ose është zgjidhur.

Neni 12

Nuk mund të lidhë martesë personi që vuan nga një sëmundje e rëndë psikike ose ka zhvillim mendor të metë, që e bën të paaftë të kuptojë qëllimin e martesës.

Neni 13

 Ndalohet martesa midis kujdestarit dhe personit që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria.

 Neni 14

 Ndalohet martesa midis birësuesit e të birësuarit dhe pasardhësve të tyre, të birësuarit dhe bashkëshortit të birësuesit, midis birësuesit e bashkëshortit të të birësuarit, midis të birësuarve, si dhe midis të birësuarit dhe fëmijëve të birësuesit. Me birësimin nuk zhduket shkaku që ndalon martesën midis të birësuarit dhe gjinisë së tij të parashikuar nga neni 10 i këtij Kodi.

Kreu II

Forma e lidhjes së martesës

Shpallja e martesës

 Neni 15

Përpara lidhjes së martesës, nëpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj, duke afishuar në vende të caktuara nga bashkia ose komuna aktin, ku tregohet identiteti, profesioni, vendbanimi dhe vendqëndrimi i bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe vendi ku do të lidhet martesa.

Neni 16

Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata

me prokurë të posaçme. Shpallja bëhet në bashkinë ose komunën e vendit ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka vendbanimin ose vendqëndrimin. Nëse nuk kanë jetuar 6 muaj në vendbanimin ose vendqëndrimin aktual, shpallja duhet të bëhet edhe në bashkinë ose komunën ku bashkëshorti ka jetuar më parë.

Neni 17

 Martesa nuk mund të lidhet para se të kalojnë 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes.

Në qoftë se shpallja ndërpritet përpara mbarimit të këtij afati, ky fakt duhet të përmendet në shpalljen e re.

 Neni 18

 Në qoftë se lidhja e martesës nuk është bërë brenda 1 viti nga shpallja, martesa nuk mund të lidhet pa u bërë shpallja e re e parashikuar në dispozitat për shpalljen e martesës.

 Neni 19

 Personi që kërkon shpalljen duhet t’i paraqesë nëpunësit të gjendjes civile certifikatat e lindjes së të dy bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe çdo dokument tjetër që është i nevojshëm dhe provën se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës. Kundërshtimet e lidhjes së martesës

Neni 20

Prindërit dhe, në mungesë të tyre, paraardhësit e tjerë dhe të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallë të tretë, mund të kundërshtojnë lidhjen e martesës së të afërmve të tyre për çdo shkak që vjen në kundërshtim me kushtet e parashikuara në këtë Kod për lidhjen e martesës. E drejta e kundërshtimit i takon edhe bashkëshortit të personit që do të lidhë një martesë tjetër, si dhe kujdestarit, nëse njeri prej bashkëshortëve është vënë në kujdestari. E drejta e kundërshtimit të martesës i takon edhe prokurorit për shkaqet që parashikohen në ligj, për të cilat ai mund të kërkojë pavlefshmërinë e saj.

Neni 21

            Kundërshtimi i lidhjes së martesës bëhet para nëpunësit të gjendjes civile ku do të lidhet martesa, i cili është i detyruar të bëjë shënimet përkatëse në regjistrin e martesave.

            Nëpunësi i gjendjes civile është i detyruar që të bëjë shënimin e heqjes së kundërshtimit në regjistrin e martesave kur:

a) vlerëson se kundërshtimi nuk është bërë në përputhje me dispozitat e këtij Kodi;

b) për këtë ka një vendim gjyqësor;

c) hiqet dorë nga kundërshtimi.

Heqja dorë nga kundërshtimi nuk pengon nëpunësin e gjendjes civile të refuzojë lidhjen e martesës për shkaqet e parashikuara në këtë Kod.

 Neni 22

Akti i kundërshtimit duhet të përmbajë cilësinë që i jep të drejtën kundërshtuesit të bëjë kundërshtimin, vendin ku martesa duhet të lidhet, shkaqet e kundërshtimit dhe dispozitën ligjore ku mbështetet ai.

Neni 23

Kur nëpunësi i gjendjes civile vlerëson se kundërshtimi është bërë në përputhje me dispozitat e këtij Kodi, pezullon procedurën e lidhjes së martesës derisa gjykata të vendosë refuzimin e kundërshtimit ose të hiqet dorë prej tij. Kundër vendimit të pezullimit, bashkëshortët e ardhshëm kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të pezullimit.

 Neni 24

 Akti i kundërshtimit të lidhjes së martesës nuk ka efekt pas kalimit të 1(një) viti nga data e regjistrimit të kundërshtimit.

Neni 25

Gjykata kompetente, me kërkesë të secilit prej bashkëshortëve të ardhshëm, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, vendos për heqjen ose jo të kundërshtimit të bërë për lidhjen e martesës.

 Neni 26

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të vendosë brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit të çështjes.

Neni 27

Në qoftë se kundërshtimi nuk pranohet, kundërshtuesit, me përjashtim të paraardhësve, mund të detyrohen me dëmshpërblim, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil.

Lidhja e martesës

Neni 28

Martesa lidhet publikisht përpara nëpunësit të gjendjes civile, të cilit i është bërë kërkesa për shpallje.

Neni 29

Me kërkesë të prokurorit të vendit ku lidhet martesa e bashkëshortëve të ardhshëm, gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të vendosë që martesa të lidhet edhe pa u shpallur.

Neni 30

Në ditën e caktuar për lidhjen e martesës, nëpunësi i gjendjes civile, pasi bindet për identitetin e bashkëshortëve të ardhshëm, në bazë të akteve dhe të thënieve të dëshmitarëve, si dhe të vetë bashkëshortëve të ardhshëm, në prani të dy dëshmitarëve, u lexon bashkëshortëve të ardhshëm nenet e këtij Kodi që përmbajnë të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve, merr nga secili bashkëshortë deklarimin se ata duan të lidhin martesë dhe, pasi merr pëlqimin e tyre, i shpall në emër të ligjit të martuar. Akti i martesës hartohet menjëherë, nënshkruhet nga bashkëshortët, dëshmitarët dhe nëpunësi i gjendjes civile dhe regjistrohet në regjistrin e martesave.

Neni 31

Neë qoftë se njeri nga bashkëshortët, për shkak të sëmundjes ose për ndonjë pengesë tjetër të justifikuar përpara nëpunësit të gjendjes civile, është në pamundësi për të shkuar në zyrën e gjendjes civile të komunës ose bashkisë, atëherë nëpunësi i gjendjes civile shkon në vendin ku ndodhet bashkëshorti që ka pengesë dhe lidh martesën, sipas procedurës së parashikuar në nenin 30 të këtij Kodi.

Neni 32

Refuzimi i lidhjes së martesës

             Nëpunësi i gjendjes civile mund të refuzojë lidhjen e martesës vetëm për shkaqe të

parashikuara në këtë Kod. Në këtë rast ai mund të lëshojë një akt ku të tregohen shkaqet e refuzimit. Kundër aktit të refuzimit mund të bëhet ankim në gjykatë.

KREU III

Pavlefshmëria e martesës

Shkaqet e pavlefshmërisë

Neni 33

 Martesa që është lidhur pa pëlqimin e lirë dhe pa vese të të dy bashkëshortëve ose të njërit prej tyre është e pavlefshme.

 Neni 34

 Martesa e lidhur në lajthim për personin e bashkëshortit shpallet e pavlefshme.

Ka lajthim për personin, kur njeri nga bashkëshortët lidh martesë me një person që nuk

është ai me të cilin dëshiron të martohet. Shpallet e pavlefshme martesa e lidhur në lajthim për cilësitë thelbësore të bashkëshortit, të cilat po t’i dinte bashkëshorti tjetër, nuk do të lidhte martesën.

 Neni 35

 Martesa e lidhur nga një person që vuan nga një sëmundje e rëndë psikike ose ka zhvillim mendor të metë, që e bën të paaftë të kuptojë qëllimin e martesës, është e pavlefshme.

 Neni 36

 Martesa e lidhur nga bashkëshortët pa pasur qëllim për jetë të përbashkët si burrë e grua është e pavlefshme.

 Neni 37

 Martesa e lidhur në kushtet kur njeri nga bashkëshortët gjendet nën ndikimin e një kanosjeje, pa të cilën nuk do të lidhej martesa, shpallet e pavlefshme.

 Neni 38

 Kërkesa për pavlefshmërinë e martesës, në rastet e parashikuara në nenet 34 dhe 37 të këtij Kodi, parashkruhet kur ka pasur një bashkëjetesë të vazhdueshme për 6 muaj që nga çasti që bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë ose nga çasti që gjendja e kanosjes ka mbaruar dhe ai ka marrë dijeni për lajthimin.

 Neni 39

             Martesa e lidhur nga personi që nuk ka mbushur moshën e parashikuar në këtë Kod është e pavlefshme. Një martesë e tillë nuk shpallet e pavlefshme kur personi ka arritur moshën e kërkuar, ose kur gruaja ka lindur fëmijë ose ka mbetur shtatzënë.

 Neni 40

            Martesa e lidhur midis personave që përmenden në nenet 9, 10, 11, 13 dhe 14 të këtij Kodi është e pavlefshme. Gjykata nuk shpall të pavlefshme martesën e lidhur midis fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave, kur çmon se ka shkaqe me rëndësi.

 Neni 41

Martesa e lidhur gjatë vazhdimit të një martese të mëparshme të njërit prej bashkëshortëve është e pavlefshme. Kur gjatë gjykimit për pavlefshmërinë e martesës, bashkëshortët pretendojnë se martesa e mëparshme ka qenë e pavlefshme ose e zgjidhur, gjykohet më parë vlefshmëria ose ekzistenca e martesës se mëparshme dhe, në qoftë se kjo martesë shpallet e pavlefshme, martesa e dytë mbetet e vlefshme. Martesa e dytë, e lidhur gjatë vazhdimit të martesës së mëparshme të njërit prej bashkëshortëve, nuk shpallet e pavlefshme, në qoftë se në këtë kohë zgjidhet martesa e mëparshme.

Neni 42

            Martesa që nuk është lidhur publikisht dhe përpara nëpunësit të gjendjes civile është e

pavlefshme. Kërkesa mund të bëhet nga bashkëshortët, nga prindërit e tyre, nga të paralindurit dhe nga të gjithë ata që kanë një interes të drejtpërdrejtë, si dhe nga prokurori.

Neni 43

           Bashkëshorti, në dëm të të cilit është lidhur një martesë e dytë, mund të kërkojë

pavlefshmërinë e kësaj martese. Në qoftë se bashkëshortët nga martesa e dytë pretendojnë pavlefshmërinë e martesës së parë, pavlefshmëria e martesës së parë do të gjykohet paraprakisht.

 Neni 44

Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës së lidhur pa pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve ose të njërit prej tyre e kanë të dy bashkëshortët ose bashkëshorti, pëlqimi i të cilit nuk ka qenë i lirë. Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës së lidhur me kanosje ose me lajthim e ka vetëm bashkëshorti që ka qenë i kanosur ose në lajthim. E drejta e padisë parashkruhet, në qoftë se nga data që ka pushuar kanosja, që është zbuluar lajthimi ose bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë në rast të martesës pa pëlqim të lirë, kanë kaluar 6 muaj, por në çdo rast jo më tepër se 3 vjet nga lidhja e martesës. E drejta e padisë, në rastet kur ka pasur një bashkëjetesë të vazhdueshme për 6 muaj që nga çasti që bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë ose nga çasti që ai ka marrë dijeni për lajthimin, parashkruhet me kalimin e këtij Kodi.

Neni 45

 Te drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës për shkaqet e parashikuara në nenet 36, 39, 40 dhe 41 të këtij Kodi e kanë secili nga bashkëshortët, prokurori dhe kushdo tjetër që ka një interes të drejtpërdrejtë të ligjshëm. Kjo padi mund të ngrihet edhe pas zgjidhjes së martesës.

E drejta e padisë për pavlefshmërinë e martesës nuk parashkruhet, përveç rasteve të parashikuara në nenet 44 dhe 46 të këtij Kodi.

Neni 46

             Te drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës, për shkaqet e parashikuara në nenin 35, pas shërimit të bashkëshortit të sëmurë, e ka secili nga bashkëshortët. E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 6 muajve nga shërimi i bashkëshortit.

 Neni 47

 Kur bashkëshortit i është hequr zotësia për të vepruar, padia për pavlefshmërinë e martesës mund të ngrihet nga kujdestari i tij.

 Neni 48

             E drejta e padisë për shpalljen e pavlefshmërisë së martesës nuk u kalon trashëgimtarëve, përveçse kur gjykimi ka filluar përpara vdekjes së bashkëshortit. E drejta e trashëgimtarëve kufizohet vetëm për rastet që prekin rendin publik dhe jo për raste që kanë të bëjnë thjesht me mbrojtjen e të drejtave të bashkëshortëve, si lajthimi e kërcënimi.

Neni 49

Pasojat e pavlefshmërisë

Martesa që shpallet e pavlefshme me vendim të formës së prerë konsiderohet se nuk është

lidhur. Për bashkëshortin që nuk ka ditur shkakun e pavlefshmërisë së martesës, pasojat fillojnë nga data që vendimi merr formë të prerë. Fëmijët e lindur nga një martesë që shpallet e pavlefshme, quhen si të lindur nga martesa dhe marrëdhëniet midis tyre dhe prindërve rregullohen si në rastet kur zgjidhet martesa.

Titulli II

Të drejtat dhe detyrimet që lindin nga martesa

Kreu I

Të drejtat dhe detyrimet reciproke të bashkëshortëve

Neni 50

Detyrimi për besnikëri, ndihmë dhe bashkëpunim

            Me martesë burri dhe gruaja përfitojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat

detyrime. Nga martesa lind detyrimi reciprok për besnikëri, për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës.

Neni 51

Mbiemri i bashkëshortit

             Bashkëshortët, kur lidhin martesën, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet. Mbiemri regjistrohet në regjistrin e martesave.

Neni 52

Mbiemri i fëmijëve

Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.

Neni 53

Detyrimi ndaj fëmijëve

 Martesa vendos mbi të dy bashkëshortët detyrimin për të mbajtur, arsimuar dhe edukuar fëmijët, duke pasur parasysh aftësitë, prirjet natyrore dhe dëshirat e fëmijëve.

 Neni 54

Kontributi i bashkëshortëve

 Në qoftë se kontributi i bashkëshortëve për detyrimet që rrjedhin nga martesa nuk është rregulluar me kontratën martesore, ata do të kontribuojnë për nevojat e familjes në përputhje me kushtet dhe aftësitë e tyre.

Neni 55

Vendbanimi i bashkëshortëve

 Bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët. Vendbanimi i familjes është vendi që bashkëshortët zgjedhin me marrëveshje të përbashkët. Në rast mosmarrëveshjeje, secili nga bashkëshortët mund t’i drejtohet gjykatës, e cila, pasi dëgjon mendimet e të dy bashkëshortëve dhe, nëse është rasti, edhe mendimin e fëmijës që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mundohet të arrijë një zgjidhje me mirëkuptim. Kur kjo nuk është e mundur, gjykata vendos zgjidhjen që e quan më të përshtatshme për kërkesat e familjes.

Neni 56

Largimi nga vendbanimi

             E drejta për ndihmë morale dhe materiale e parashikuar në këtë Kod ndërpritet kundrejt bashkëshortit, që është larguar pa shkak nga vendbanimi familjar dhe refuzon të kthehet.

            Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga martesa, gjykata, sipas rrethanave, mund të urdhërojë sekuestrimin e të mirave të bashkëshortit të larguar, në masën e duhur.

 Neni 57

Pëlqimi i bashkëshortit

             Bashkëshortët nuk mund të disponojnë banesën bashkëshortore dhe pajisjet e saj pa

pëlqimin e tjetrit, cilido qofteë regjimi pasuror martesor. Bashkëshorti që nuk ka dhënë pëlqimin për veprimin juridik të kryer nga tjetri, lidhur me banesën bashkëshortore, mund të kërkojë anulimin e tij brenda 1 viti nga data kur ai ka marrë njoftim për këtë veprim juridik. Por jo me tepër se 1 vit nga data që regjimi pasuror martesor ka marrë fund.

Neni 58

Autorizimi i gjykatës

Çdo bashkëshort mund të autorizohet nga gjykata për të kryer një veprim juridik, për të cilin bashkëpunimi ose pëlqimi i bashkëshortit tjetër do të ishte i nevojshëm, në qoftë se ky i fundit nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij ose në qoftë se refuzimi i tij vjen në kundërshtim me interesin e familjes. Veprimi juridik i kryer si me sipër, mund të kundërshtohet nga bashkëshorti, pëlqimi i të cilit nuk është marrë, për të mos e ngarkuar atë me asnjë detyrim.

Neni 59

Autorizimi i përfaqësimit

 Në qoftë se njeri nga bashkëshortët nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij, bashkëshorti tjetër mund ta përfaqësojë në të gjitha veprimet juridike ose në veprime juridike të caktuara që lidhen me regjimin pasuror martesor. Kushtet dhe gjerësia e përfaqësimit përcaktohen në autorizimin e dhënë nga gjykata.

 Neni 60

Veprime pa pëlqimin e bashkëshortit

Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njeri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër. Përgjegjësia solidare nuk ka vend për shpenzimet haptazi të tepërta, duke pasur parasysh mënyrën e jetesës në familje, dobishmërinë e veprimit të kryer, si dhe mirëbesimin ose keqbesimin e personave të tretë kontraktues.

Neni 61

Masat urgjente

 Në qoftë se njeri nga bashkëshortët nuk plotëson në mënyrë të dukshme detyrimet e tij dhe vë në rrezik interesat e familjes, gjykata, me kërkesën e bashkëshortit tjetër, mund të përcaktojë të gjitha masat urgjente që lidhen me ta.  Zgjatja e masave të parashikuara në këtë nen duhet të jetë e përcaktuar dhe në asnjë rast të mos i kalojë 3 vjet.

 Neni 62

Masat kundër dhunës

 Bashkëshorti ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejte t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit, që ushtron dhunë, nga banesa bashkëshortore.

 Neni 63

Disponimi i të ardhurave

 Secili nga bashkëshortët mund të ushtroje lirisht një profesion, të disponojë të ardhurat nga puna dhe të ardhurat e tjera, sipas regjimit pasuror martesor përkatës, pasi të ketë kontribuar në detyrimet që rrjedhin nga martesa.

Neni 64

Administrimi i sendeve vetjake

 Secili nga bashkëshortët ka të drejtën e administrimit dhe të tjetërsimit lirisht të sendeve të tij vetjake, pa qenë nevoja e pëlqimit të bashkëshortit tjetër.

 Neni 65

Përparësia e detyrimeve që rrjedhin nga martesa

 Zbatimi i dispozitave të këtij kreu rrjedh nga martesa dhe zbatohet pavarësisht nga regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve.

Titulli III

Regjimet pasurore martesore

Kreu I

Dispozita të përgjithshme

Neni 66

Regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve

Regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve rregullohet me ligj, në mungesë të marrëveshjes së veçantë, ku bashkëshortët parashikojnë regjimin që dëshirojnë, i cili nuk duhet të vijë në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi dhe legjislacionit përkatës.

Neni 67

Të drejta të pashmangshme

Bashkëshortët nuk mund t’i shmangen të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin për ta nga martesa, si dhe përgjegjësisë prindërore dhe rregullave të administrimit ligjor dhe të kujdestarisë.

 Neni 68

Përfaqësimi i bashkëshortit

             Secili nga bashkëshortët mund t’i japë të drejtën bashkëshortit tjetër për ta përfaqësuar gjatë regjimit pasuror martesor, sipas dispozitave të Kodit Civil. Mandati i përfaqësimit mund të revokohet në çdo kohë.

Forma e kontratës

Neni 69

             Kontrata martesore bëhet me akt noterial, në prani dhe me pëlqimin e njëkohshëm të dy bashkëshortëve të ardhshëm ose të përfaqësuesve të tyre. Në çastin e nënshkrimit të kontratës, noteri i lëshon palëve një akt noterial, i cili përmban identitetin e plotë, adresën e bashkëshortëve të ardhshëm dhe datën e lidhjes së kontratës. Noteri ka detyrimin të depozitojë kopje të kontratës në zyrën e gjendjes civile para lidhjes së martesës. Në qoftë se në aktin e martesës tregohet se bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë, ata do të konsiderohen kundrejt të tretëve si të martuar nën regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore.

Neni 70

 Në rastin e martesës së të miturit, sipas nenit 7 paragrafi i dytë, zbatohet regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore derisa të mbushë moshën 18 vjeç, rast pas të cilit mund të kërkohet ndryshimi i regjimit ligjor të pasurisë.

 Neni 71

 Në qoftë se një nga bashkëshortët ushtron veprimtari tregtare, ndryshimet në kontratën e martesës lidhur me veprimtarinë tregtare duhet të depozitohen, në çdo rast, edhe në regjistrin tregtar. Efektet për personat e tretë fillojnë nga çasti i depozitimit të ndryshimit, parashikuar në paragrafin e parë.

Neni 72

             Bashkëshortët mund të bien dakord, në interes të familjes, për ta ndryshuar pjesërisht ose tërësisht regjimin pasuror martesor vetëm pas kalimit të 2 vjetëve të zbatimit të tij. Ndryshimet, në këtë rast, duhet të bëhen në të njëjtën formë që kërkohet për kontratën fillestare të martesës. Ndryshimi i regjimit pasuror martesor ka efekt kundrejt të tretëve, 3 muaj pasi ndryshimi të jetë depozituar në regjistrin ku është pasqyruar akti i martesës. Në mungese të këtij shënimi, ndryshimi nuk kundërshtohet nga të tretet, në qoftë se në aktet e bëra midis tyre, bashkëshortët kanë deklaruar se kanë ndryshuar regjimin pasuror martesor.

Kreu II

Regjimi pasuror martesor në bashkësi

 Bashkësia ligjore

Neni 73

 Regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore zbatohet kur bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë për regjim tjetër pasuror martesor.

 Neni 74

Përbërja e bashkësisë

Bashkësia përbëhet nga:

a) pasuria e fituar nga të dy bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;

b) të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, nëse nuk janë

konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;

c) frytet e pasurisë së çdo bashkëshorti, që janë marrë dhe nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë; veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës.

            Në rast se veprimtaria tregtare para lidhjes së martesës i përkiste vetëm njërit prej

bashkëshortëve, por gjatë martesës drejtohet nga të dy bashkëshortët, bashkësia përfshin vetëm fitimet dhe shtimin e prodhimit.

Neni 75

Pasuria e caktuar për administrimin e veprimtarisë tregtare

 Pasuria e krijuar gjatë martesës, e caktuar për administrimin e veprimtarisë tregtare të njërit prej bashkëshortëve dhe shtesat e prodhimit të saj janë objekt i bashkëpronësisë vetëm nëse ekzistojnë si të tilla në çastin e mbarimit të martesës.

Neni 76

Pasuria e bashkëshortëve prezumohet si e përbashkët, me përjashtim të rastit kur bashkëshorti provon karakterin e saj vetjak.

Pasuria vetjake

Neni 77

 Pasuri vetjake e bashkëshortit që nuk bën pjesë në bashkësi është:

a) pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi të bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte reale përdorimi;

            b) pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit, të trashëgimisë ose lekut, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcaktohet se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;

            c) pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesore të pasurisë vetjake;

            ç) mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;

            d) pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;

            dh) pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake të sipërpërmendura;

            e) shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.

Neni 78

             Bashkësia mund të përfitojë kompensim, pas mbarimit të saj, për të ardhurat dhe pasuritë që bashkëshorti ka neglizhuar të marrë ose për ato që ai ka shpenzuar në keqbesim.

            Kërkesa për kompensim duhet të paraqitet nga bashkëshorti i interesuar para mbarimit të procedurës të ndarjes së pasurisë.

E drejta e kompensimit

Neni 79

 Pasuria e fituar në shkëmbim të një pasurie, e cila i përkiste individualisht njërit prej bashkëshortëve, është pasuri vetjake, me përjashtim të kompensimit që i bëhet bashkësisë ose e kundërta, kur nga shkëmbimi rezulton të ketë diferenca. Nëse diferenca në ngarkim të bashkësisë është më e madhe se vlera e pasurisë vetjake të tjetërsuar, pasuria e fituar në këtë shkëmbim i përket bashkësisë, përveç kompensimit në favor të pasurisë vetjake të bashkëshortit.

Neni 80

Të ardhurat e përfituara, si pasojë e një ankandi ose forme tjetër, të një pasurie të paluajtshme, ku njeri nga bashkëshortët është bashkëpronar në pjesë të pandarë, nuk përbën pasuri të fituar gjatë martesës. Me përjashtim të kompensimit që duhet t’i bëhet bashkësisë për shpenzimin që ajo ka bërë.

Detyrimet mbi bashkësinë

Neni 81

 Bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi:

a) për të gjitha barrët dhe detyrimet që rëndojnë mbi ta në çastin e fitimit të pronësisë

b) për të gjitha shpenzimet e administrimit të pasurisë së përbashkët;

c) për të gjitha shpenzimet për mbajtjen e familjes dhe për çdo detyrim të kontraktuar nga

bashkëshortët, qoftë dhe veçmas, që është në interes të familjes;

ç) për çdo detyrim tjetër kontraktues ose jokontraktues, me përjashtim të detyrimeve të përcaktuara si vetjake në këtë Kod.

Detyrimet që bashkëshortët kanë para lidhjes së martesës ose që rendojnë trashëgimitë dhe dhurimet që fitojnë gjatë martesës mbeten detyrime vetjake.

Neni 83

            Kreditorët e bashkëshortit, në rastin e nenit 82, mund t’i kërkojnë pagesat e tyre fillimisht mbi pasurinë vetjake dhe të ardhurat e bashkëshortit debitor. Ata mund të kërkojnë dhe vënien sekuestro mbi pasurinë e bashkësisë, atëherë kur pasuritë e luajtshme që i përkasin debitorit të tyre datën e lidhjes së martesës ose që i fitojnë me trashëgimi ose me dhurim janë përzier me pasurinë në bashkësi dhe nuk mund të identifikohen, sipas këtij Kodi.

Neni 84

Bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi deri në gjysmën e vlerës së saj, kundrejt

kreditoreve vetjake të çdo bashkëshorti, kur pasuria vetjake e tij nuk mjafton për përmbushjen e:

a) detyrimeve që ai ka marrë përsipër vetëm për administrimin e pasurisë në bashkësi, jashtë kufijve të tagrave të tij të administrimit;

b) detyrimeve të tij vetjake, cilido qoftë çasti i lindjes së tyre.

            Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet, nëse ka pasur mashtrim nga bashkëshorti debitor dhe keqbesim nga kreditori.

Neni 85

Në rast se detyrimi vetjak i njërit bashkëshort është shlyer nga bashkësia, ai detyrohet të bëjë kompensimin e bashkësisë.

Neni 86

 Të ardhurat vetjake të një bashkëshorti nuk mund të preken nga kreditoret e bashkëshortit tjetër, vetëm nëse detyrimi ka qenë i kontraktuar për mirëmbajtjen e banesës dhe të familjes, sipas nenit 81 të këtij Kodi.

Detyrimet e kontraktuara veçmas nga bashkëshortët

Neni 87

Në rastin kur detyrimi është kontraktuar në interesin vetjak të njërit prej bashkëshortëve dhe ai është shlyer nga pasuria në bashkësi, bashkëshorti përfitues detyrohet të bëjë kompensimin e bashkësisë.

Neni 88

Në rast se nga pasuria në bashkësi janë paguar gjoba ose dëmshpërblime, për të cilat është detyruar njeri prej bashkëshortëve për shkak të një dënimi penal ose administrativ, ai detyrohet të kompensojë pasurinë në bashkësi. Bashkësia ka të drejtën për kompensim nëse detyrimi që bashkësia ka shlyer ishte kontraktuar nga njeri prej bashkëshortëve në kundërshtim me detyrimet që i imponon martesa.

Neni 89

Detyrimet solidare të bashkëshortëve me pasurinë në bashkësi

 Kur një detyrim vjen në bashkësi për shkak të njërit bashkëshort, ai nuk mund të kërkohet mbi pasuritë vetjake të bashkëshortit tjetër. Nëse ka detyrime solidare të të dy bashkëshortëve, ai mund të kërkohet mbi pasurinë në bashkësi.

Neni 90

Administrimi i bashkësisë

Secili bashkëshort ka të drejtën e administrimit të zakonshëm të pasurisë në bashkësi. Secili bashkëshort është përfaqësues ligjor edhe i bashkëshortit tjetër përpara organeve administrative dhe gjyqësore për çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zakonshëm të pasurisë në bashkësi. Kryerja e veprimeve që kapërcejnë administrimin e zakonshëm u takon bashkërisht të dy bashkëshortëve.

Neni 91

Administrimi nga një bashkëshort

 Në rast largësie ose pengese tjetër të njërit bashkëshort dhe në mungesë të prokurës ose autorizimit të gjykatës, bashkëshorti tjetër mund të kryeje veprimet që janë të nevojshme edhe në rastin kur kërkohet pëlqimi i të dy bashkëshortëve, sipas nenit 90 të këtij Kodi.

Neni 92

Refuzimi i pëlqimit

Nëse njeri prej bashkëshortëve refuzon të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi të administrimit të jashtëzakonshëm ose për veprime të tjera, për të cilat kërkohet pëlqimi, bashkëshorti tjetër mund t’i drejtohet gjykatës për të marrë autorizimin. Gjykata vendos dhënien e autorizimit kur kryerja e veprimit është e nevojshme për interesa të familjes ose të veprimtarisë tregtare që bën pjesë në bashkësi.

Neni 93

Zëvendësimi në administrim

 Nëse njeri nga bashkëshortët, për një kohë të vazhdueshme, ndodhet jashtë gjendjes për të shprehur vullnetin e tij, ose nëse administrimi i bashkësisë nga ana e tij dëshmon për paaftësi ose keqbesim, bashkëshorti tjetër mund t’i kërkojë gjykatës të zëvendësojë atë në ushtrimin e të drejtave të tij. Bashkëshorti i privuar nga të drejtat e administrimit të bashkësisë mund t’i kërkojë gjykatës rikthimin e tyre, nëse provon se janë zhdukur shkaqet e përjashtimit të tij nga administrimi.

Neni 94

Tejkalimi i të drejtave

Nëse njeri nga bashkëshortët tejkalon të drejtat e tij mbi pasurinë në bashkësi, mund të kërkohet nga bashkëshorti tjetër anulimi i veprimit, nëse më vonë ai nuk ka dhënë pëlqimin për këtë veprim:  Kjo padi mund të ngrihet brenda 1 viti nga data e marrjes dijeni për veprimin dhe, në çdo rast, jo më vonë se 1 vit nga mbarimi i bashkësisë.

Neni 95

Administrimi i pasurisë vetjake të bashkëshortit

Secili bashkëshort ka të drejtë të administrojë dhe të disponojë lirisht pasuritë vetjake. Nëse gjatë martesës njeri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij vetjake, zbatohen rregullat e përfaqësimit. Nëse njeri nga bashkëshortët administron pasurinë vetjake të tjetrit, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një akt përfaqësimi në heshtje, që mbulon veprimet e administrimit dhe të përdorimit, me përjashtim të tagrit të disponimit. Në këtë rast, ai përgjigjet kundrejt bashkëshortit  tjetër me cilësinë e përfaqësuesit dhe, nëse është rasti, detyrohet të dorëzojë vetëm frytet që ekzistojnë, duke mos u përgjigjur për atë që janë konsumuar. Nëse njeri nga bashkëshortët, me gjithë kundërshtimin e tjetrit, administron pasurinë e tij vetjake dhe kryen veprime lidhur me të, përgjigjet për dëmin e shkaktuar dhe për frytet që duhet të ishin marrë. Në këtë rast, bashkëshorti i dëmtuar ka të drejtë të ngrejë padi për anulimin e veprimit të kryer, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 94 të këtij Kodi.

Neni 96

Mbarimi i bashkësisë

 Bashkësia mbaron me:

a) vdekjen e njërit prej bashkëshortëve, shpalljen i zhdukur ose i vdekur të njërit prej tyre,

shpalljen të pavlefshme dhe zgjidhjen e martesës;

b) pjesëtimin e pasurive;

c) ndryshimin e regjimit pasuror martesor, kur sjell mbarimin e bashkësisë.

Neni 97

Ndalimi i pjesëtimit

Pjesëtimi i pasurisë nuk mund të bëhet gjatë vazhdimit të bashkësisë, edhe në rast të një marrëveshjeje të bashkëshortëve.

Neni 98

Pjesëtimi i pasurisë

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësi mund të kërkohet në gjykatë në rast paaftësie dhe administrimit të keq të njërit prej bashkëshortëve, kur mënyra e administrimit të pasurisë prej tij vë në rrezik interesat e bashkëshortit tjetër ose të familjes, ose kur njeri nga bashkëshortët nuk kontribuon për nevojat e familjes, në proporcion me gjendjen e tij dhe me aftësinë për punë dhe kur ka ndodhur një pjesëtim faktik i pasurisë në bashkësi. Ndarja e pasurisë mund të kërkohet nga njeri prej bashkëshortëve ose nga përfaqësuesi i tij ligjor. Kreditoret e njërit bashkëshort nuk mund të kërkojnë vetë ndarjen e pasurisë. Vendimi i gjykatës për ndarjen ka fuqi që nga data kur është paraqitur kërkesa dhe i vendos bashkëshortët nën regjimin e pasurive martesore të ndara, të parashikuar në këtë Kod.

Neni 99

 Kur procedura për pjesëtimin e pasurisë ka filluar, kreditoret mund të kërkojnë të njihen me kërkesën dhe dokumentet e paraqitura nga bashkëshortët, si dhe të ndërhyjnë në seancën gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Neni 100

Depozitimi

             Kërkesa dhe vendimi i ndarjes së pasurisë duhet të depozitohen pranë zyrës së gjendjes civile dhe, nëse është rasti, edhe në regjistrin tregtar.

            Vendimi shënohet në regjistrin e gjendjes civile, si dhe në origjinalin e kontratës së

martesës.

Neni 101

Kompensimet

 Secili nga bashkëshortët duhet të kompensojë shumat e marra nga pasuria në bashkësi, që janë përdorur për qëllime të ndryshme nga ai i përmbushjes së detyrimeve të parashikuara në nenin 81 të këtij Kodi.

Neni 102

Kompensimet dhe kthimet realizohen në çastin e mbarimit të bashkësisë.

Gjykata mund të autorizojë dhe të urdhërojë për ato në çdo çast nëse e kërkon dhe e lejon interesi i familjes.

Neni 103

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësi

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësinë ligjore bëhet duke u nisur nga barazia e aktivit dhe pasivit

të saj. Pasi të jenë zbritur nga bashkësia detyrimet që ajo ka ndaj bashkëshortëve ose të tretëve, pasuria që mbetet ndahet në pjesë të barabarta midis bashkëshortëve. Gjykata, në bazë të nevojave të fëmijëve dhe nga fakti se kujt do t’i besohen ata, mund të vendosë në favor të një bashkëshorti kalimin e një pjesë të pasurisë së bashkësisë që i takon bashkëshortit tjetër.

Neni 104

 Kur kompensimi bëhet në dobi të njërit bashkëshort, ky i fundit merr nga pasuria e bashkësisë një shumë të barabartë me vlerën që bashkësia i detyrohet atij. Në qoftë se aktivi i pasurisë së bashkësisë është i pamjaftueshëm, bashkëshorti tjetër është i detyruar për diferencën.

Në rastet kur aktivi i pasurisë nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet e bashkësisë ndaj të tretëve, kreditorët kanë të drejte t’i drejtohen secilit prej bashkëshortëve, të cilët përgjigjen solidarisht. Bashkëshorti që ka shlyer detyrimin e bashkësisë si më sipër, ka të drejtën e regresit ndaj bashkëshortit tjetër për pjesën e detyrimit të shlyer për llogari të tij.

Neni 105

Në fillim të procedurës së pjesëtimit të pasurisë në bashkësi, bashkëshortët ose trashëgimtarët e tyre kanë të drejtë të marrin pasurinë e luajtshme vetjake, që u përkiste para bashkësisë ose që ata e kanë fituar gjatë bashkësisë në formë trashëgimie ose dhurimi. Në mungesë të provave të kundërta prezumohet se pasuria e luajtshme bën pjesë në bashkësi.

Neni 106

Marrja e vlerës në rast të mungesës së papasurisë së luajtshme

Nëse pasuria e luajtshme nuk ekziston në natyrë, bashkëshorti apo trashëgimtarët e tij kanë të drejtë të marrin vlerën e saj duke zbritur amortizimin e tij nga përdorimi në bashkësi, me kusht që mungesa e pasurisë të ketë ardhur për shkak të konsumit për përdorim, për shkak të shkatërrimit ose humbjes së saj ose për çdo shkak që nuk mund t’i kundërvihet bashkëshortit tjetër.

Neni 107

 Pjesëtimi i pasurisë së bashkëshortëve bëhet sipas këtij Kodi, Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile.

Kreu III

Bashkësia me kontratë

Neni 108

 Bashkëshortët, në kontratën e martesës, mund të ndryshojnë bashkësinë ligjore me marrëveshje, e cila nuk duhet të vijë në kundërshtim me nenet 66 dhe 67 të këtij Kodi.

            Bashkëshortët mund të bien dakord që:

a) bashkësia të përfshijë pasuritë e luajtshme para martesës dhe fitimet nga pasuritë vetjake

gjatë martesës;

b) të ndryshohen rregullat lidhur me administrimin;

c) të kenë pjesë jo të barabarta;

ç) të ketë ndërmjet tyre bashkësi universale.

Rregullat e bashkësisë ligjore mbeten të zbatueshme për të gjitha pikat që nuk janë bërë objekt i kontratës së martesës ndërmjet palëve.

Neni 109

Kur bashkëshortët bien dakord që të ketë ndërmjet tyre bashkësi, sipas nenit 108 shkronja “a”, pasuria në bashkësi përbëhet nga pasuria në regjimin pasuror të bashkësisë ligjore, nga pasuria e luajtshme para martesës dhe fitimet nga pasuritë vetjake gjatë martesës. Mbetet pasuri vetjake dhe nuk mund të përfshihet në bashkësi pasuria e luajtshme e parashikuar në shkronjat “c”, “ç”, “d” të nenit 77 të këtij Kodi.

Neni 110

 Bashkëshortët, për detyrimet e tyre para martesës, përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi deri në kufirin e vlerës së pasurisë së tyre, e cila, në bazë të kontratës së lidhur, sipas këtij Kodi, është pjesë përbërëse e bashkësisë.

Neni 111

Administrimi i përbashkët

 Bashkëshortët mund të bien dakord që ta administrojnë së bashku bashkësinë. Në këtë rast, aktet e administrimit dhe të disponimit të pasurisë së bashkësisë bëhen me nënshkrimin e përbashkët të dy bashkëshortëve dhe përmbajnë detyrimin solidar të tyre.

Neni 112

Pjesët jo të barabarta

Bashkëshortët, në kontratën e martesës, mund të bien dakord të caktojnë pjesë jo të

barabarta për pasurinë në bashkësi, ndryshe nga bashkësia ligjore.

Neni 113

 Në rastet kur bashkëshortët, në kontratën e martesës, kanë përcaktuar pjesë jo të barabarta në bashkësi, ata ose trashëgimtarët e tyre i përballojnë detyrimet në raport me pasurinë që kanë në bashkësi ose që kanë përfituar nga bashkësia.

Çdo klauzole e kontratës është e pavlefshme nëse detyron bashkëshortin me pjesë të kufizuar ose trashëgimtarët e tij të përballojnë një detyrim më të madh se pjesa e tyre në bashkësi ose të përjashtohen nga përballimi i detyrimit të tyre në raport me këtë pjesë.

Neni 114

Bashkësia universale

 Bashkëshortët mund të vendosin në kontratën e martesës një bashkësi universale të pasurisë së tyre, të luajtshme dhe të paluajtshme, që ekziston dhe që do të vihet në të ardhmen, me përjashtim të pasurisë vetjake të parashikuar në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të nenit 77 të këtij Kodi.

Bashkësia universale përballon të gjitha detyrimet e bashkëshortëve, që ekzistojnë në çastin e lidhjes së kontratës dhe gjatë martesës.

Kreu IV

Regjimi i pasurive të ndara

Neni 115

Kur bashkëshortët kanë përcaktuar në kontratën e martesës regjimin e pasurive të ndara, secili prej tyre ruan të drejtën e administrimit, përdorimit dhe disponimit të lirë mbi pasurinë e tij. Secili prej bashkëshortëve përballon vetë detyrimet që i kanë lindur atij, para ose gjatë martesës, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 70 të këtij Kodi.

Neni 116

Detyrimet që rrjedhin nga martesa

             Bashkëshortët kontribuojnë në detyrimet që rrjedhin nga martesa, sipas përcaktimit të

kushteve në kontratën e martesës.  Në rast se kontrata e martesës nuk përmban asgjë lidhur me detyrimet që rrjedhin nga martesa, bashkëshortët kontribuojnë sipas nenit 54 të këtij Kodi.

Administrimi i pasurisë

Neni 117

             Në rast se gjatë martesës. njeri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij, zbatohen rregullat e përfaqësimit.  Bashkëshorti përfaqësues nuk është i detyruar të japë llogari për kthimin e fryteve, nëse prokura nuk e detyron shprehimisht për një gjë të tillë.

Neni 118

Nëse njëri nga bashkëshortët administron pasurinë e bashkëshortit tjetër, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një mandat të heshtur, i cili mbulon veprimet lidhur me administrimin, por jo ato të disponimit. Në këtë rast, bashkëshorti përfaqësues përgjigjet ndaj bashkëshortit tjetër vetëm për frytet që ekzistojnë dhe nuk përgjigjet për ato që janë konsumuar. Nëse njeri nga bashkëshortët. me gjithë kundërshtimin e tjetrit. administron pasurinë e këtij të fundit ose kryen veprime lidhur me këtë pasuri, ai përgjigjet për dëmin dhe për frytet që duhet të ishin marrë.

Neni 119

 Pasuria e luajtshme që posedohet nga njeri prej bashkëshortëve ose nga të dy bashkëshortët prezumohet, në lidhje me kreditorët e secilit prej tyre, se i përket bashkëshortit debitor. Ky prezumim nuk është i vlefshëm në rastin e ndërprerjes së jetesës së përbashkët. Pasuria e luajtshme që posedohet nga të dy bashkëshortët prezumohet, në lidhje me njëri tjetrin, se i përket të dy bashkëshortëve në pjesë të barabarta. Pasuria e luajtshme, e paracaktuar për përdorim vetjak nga njëri prej bashkëshortëve, prezumohet se i përket këtij të fundit.

Neni 120

 Me mbarimin e martesës për shkak të vdekjes së njërit bashkëshort, pjesëtimi i pasurisë ndërmjet bashkëshortëve me regjime pasurish të ndara, përsa i përket formës, ruajtjes së pandarë të sendit të papjesëtueshëm, radhës së preferencave, shitjes në ankand të sendeve të papjesëtueshme, efekteve të ndarjes, garancisë dhe diferencave, i nënshtrohet rregullave të trashëgimisë për ndarjen midis trashëgimtarëve. Të njëjtat rregulla zbatohen dhe pas zgjidhjes së martesës, me përjashtim të radhës së preferencave. Mund të vendoset që diferenca e mundshme të paguhet me para në dorë.

Neni 121

 Nëse martesa mbaron ose shpallet e pavlefshme dhe pasuria e njërit prej bashkëshortëve është shtuar nga lidhja e martesës, bashkëshorti tjetër, në rastin kur ai ka kontribuar në një mënyrë ose në një tjetër për këtë shtim, ka të drejtën të kërkojë kthimin e pjesës së shtuar nga kontributi i tij.

Neni 122

            E drejta e parashikuar në nenin 121 i kalon trashëgimtarëve të bashkëshortit të vdekur,

vetëm nëse njihet në kontratë ose për shkak të vazhdimit të një gjykimi të filluar.  Kjo e drejtë parashkruhet me kalimin e 2 vjetëve nga mbarimi ose shpallja e pavlefshme e martesës.

Titulli  IV

Mbarimi i matresës

KREU I

RASTET E MBARIMIT TË MARTESËS

Neni 123

Martesa mbaron me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, me shpalljen e vdekjes se njërit bashkëshort ose me zgjidhjen e martesës se tyre.

Neni 124

Kur bashkëshorti që është shpallur i vdekur del se është gjallë, martesa e mbaruar me shpalljen e vdekjes bëhet përsëri e vlefshme, përveçse kur bashkëshorti tjetër ka lidhur martesë të re.

KREU II

RASTET E ZGJIDHJES SË MARTESËS

Neni 125

Pëlqimi reciprok i bashkëshortëve

Kur bashkëshortët bien dakord për zgjidhjen e martesës, i paraqesin gjykatës për miratim, së

bashku me kërkesën, edhe një projektmarrëveshje që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.

Kërkesa mund të paraqitet nga bashkëshortët ose nga përfaqësuesit e tyre respektive.

Neni 126

Gjykata shqyrton kërkesën, dëgjon fillimisht veçmas secilin nga bashkëshortët, më pas bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre dhe në fund thërret përfaqësuesit e bashkëshortëve, në qoftë se ata kanë të tillë.

Neni 127

Gjykata vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është real dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Në të njëjtin vendim, gjykata miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.

Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore.

Neni 128

Refuzimi i miratimit

Në rast se gjykata konstaton se marrëveshja nuk siguron në mënyrë të mjaftueshme interesat e fëmijëve ose të njërit prej bashkëshortëve, pezullon gjykimin për 3 muaj dhe u kërkon bashkëshortëve të bëjnë rregullimet e duhura në marrëveshje.

Në qoftë se edhe pas afatit të parashikuar në paragrafin e parë nuk janë bërë rregullimet e duhura, gjykata refuzon miratimin dhe rrëzon kërkesën për zgjidhjen e martesës me pëlqim reciprok të bashkëshortëve.

Neni 129

Zgjidhja e martesës për ndërprerje të jetesës së përbashkët

            Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët kur bashkëshortët jetojnë të ndarë faktikisht që prej 3 vjetësh.

Nëse është rasti, bashkëshorti që kërkon zgjidhjen e martesës, sipas paragrafit të parë të këtij neni, duhet të përcaktojë në kërkesëpadinë e tij dhe mënyrën e zbatimit të detyrimeve të mundshme kundrejt fëmijëve të tij dhe bashkëshortit tjetër.

Neni 130

Gjykata mund të rrezojë padinë për zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët, kur bashkëshorti tjetër provon se zgjidhja e martesës do të ketë pasoja veçanërisht të rënda morale dhe materiale për fëmijët ose bashkëshortin tjetër. Padia mund të ringrihet për të njëjtat shkaqe nëse ekzistojnë rrethana të reja.

Neni 131

            Ndërprerja e jetesës së përbashkët mund të paraqitet si shkak për zgjidhjen e martesës vetëm nga bashkëshorti që ka paraqitur kërkesëpadinë.

            Bashkëshorti i paditur ka të drejtë të paraqesë kundërpadi. Në këtë rast, gjykata mund të rrëzojë padinë dhe të pranojë kundërpadinë, duke zgjidhur martesën.

Neni 132

Zgjidhja e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort

Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët.

Neni 133

Gjykata vendos për fajësinë, në zgjidhjen e martesës, vetëm kur kjo kërkohet prej njërit ose të dy bashkëshortëve.

Neni 134

  Përpjekjet për pajtim

            Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët.

            Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin dhe më pas bashkërisht, pa praninë e

përfaqësuesve të tyre.

            Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak.

Neni 135

Në rast se në seancën e pajtimit nuk paraqitet paditësi, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit të çështjes.

Kur nuk paraqitet i padituri, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari shtyn seancën e pajtimit, duke i përsëritur njoftimin të paditurit. Nëse edhe në këtë seance i padituri nuk paraqitet pa ndonjë shkak të arsyeshëm, gjyqtari, pasi dëgjon paditësin dhe krijon bindje se pajtimi i bashkëshortëve nuk mund të arrihet, cakton seancën gjyqësore, duke urdhëruar thirrjen e provave të nevojshme.

Neni 136

Gjykata mund të shtyjë shpalljen e vendimit deri në 1 vit, kur nuk ka krijuar bindje se përjashtohet çdo mundësi pajtimi e bashkëshortëve.

Neni 137

Pezullimi i gjykimit me kërkesën e gruas shtatzënë

Kur gruaja është shtatzënë, me kërkesën e saj, gjykata mund të pezulloje gjykimin e padisë së zgjidhjes së martesës, por jo me tepër se 1 vit nga çasti i lindjes së fëmijës.

Neni 138

Bashkimi i kërkimeve të tjera

Në kërkesëpadinë për zgjidhjen e martesës mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës.

Gjykata veçon likuidimin e regjimit pasuror martesor në rast se vështirësohet shqyrtimi i  çështjes, sipas kërkesave të paragrafit të parë të këtij neni.

Neni 139

Marrja e masave të përkohshme

Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të mitur, për detyrimin për ushqim të bashkëshortit, kur shihet e arsyeshme, për sigurimin e banimit, si dhe administrimin dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës, nëse është rasti.

Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet ose të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta.

Neni 140

Të drejtat e trashëgimtarëve

E drejta e padisë për zgjidhjen e martesës nuk u kalon trashëgimtarëve. Në rast se gjykimi

ka filluar më parë, gjykata ndërpret procesin dhe pushon gjykimin.

Në këtë rast, bashkëshorti pasjetues gëzon të drejtën për të trashëguar bashkëshortin e vdekur.

Neni 141

 E drejta e ngritjes së padisë nga kujdestari

            Kur bashkëshortit i është hequr zotësia për të vepruar ose për arsye të tjera është vënë në kujdestari, padia për zgjidhjen e martesës mund të ngrihet nga kujdestari i tij.

            Në rast se bashkëshorti, ndaj të cilit është bërë kërkesëpadi, është në kujdestari në

gjykimin e zgjidhjes së martesës përfaqësohet nga kujdestari i tij.

Në rastin kur bashkëshorti i pazotë për të vepruar ndodhet në kujdestarinë e bashkëshortit tjetër, gjykata i cakton atij një kujdestar të posaçëm, për ta përfaqësuar në procedurën e zgjidhjes së martesës.

Neni 142

Në çastin e burgimit të bashkëshortit, e drejta e ngritjes së padisë për zgjidhjen e martesës mund të ushtrohet nga kujdestari ose përfaqësuesi ligjor  vetëm pasi të ketë marrë autorizimin e bashkëshortit që vuan dënimin me burgim.

Neni 143

Dërgimi i vendimit në zyrën e gjendjes civile

Pasi të ketë marrë formë të prerë, vendimi për zgjidhjen e martesës i dërgohet nga gjykata për regjistrim zyrës së gjendjes civile përkatëse.

Neni 144

Efektet e vendimit të zgjidhjes së martesës

Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet e tij nga data që merr formë të

prerë. Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet e tij për të tretet nga data e

regjistrimit të tij në zyrën e gjendjes civile, sipas legjislacionit përkatës.

KREU III

PASOJAT E ZGJIDHJES SË MARTESËS

Neni 145

Pasojat për ish-bashkëshortët

Në rast se ish-bashkëshortët që kanë zgjidhur martesën dëshirojnë ta rilidhin atë, duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e nevojshme për lidhjen e një martese të re.

Neni 146

Përdorimi i mbiemrit

Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës.

Gjykata, me kërkesën e bashkëshortit dhe kur është në interes të tij ose të fëmijëve, mund të lejojë që ai të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës.

Neni 147

 Kontributi kompensues

Gjykata mund të detyrojë njërin nga ish-bashkëshortët të derdhë për llogari të tjetrit një kontribut të destinuar për të kompensuar sa të jetë e mundur pabarazinë që mund të shkaktojë në jetën e tjetrit ndarja e pasurisë në zgjidhjen e martesës, përveç detyrimit për ushqim. Gjykata përcakton nëse kontributi mund të jepet i menjëhershëm ose periodik dhe mënyrën e pagimit të tij.

Neni 148

Kontributi kompensues caktohet sipas nevojave të ish-bashkëshortit përfitues dhe burimeve të tjetrit, duke marrë në konsideratë gjendjen në çastin e zgjidhjes së martesës dhe kohëzgjatjen e saj në një të ardhme të parashikueshme.

            Kohëzgjatja e dhënies së kontributit kompensues caktohet nga gjykata, sipas nevojave të ish bashkëshortit përfitues.

            Nëse ish-bashkëshorti përfitues lidh martesë të re, kontributi kompensues ndërpritet.

Neni 149

Në përcaktimin e nevojave dhe të burimeve, gjykata merr në konsideratë:

a) moshën dhe gjendjen shëndetësore të ish-bashkëshortëve;

b) kohën e shpenzuar dhe atë që i duhet tëshpenzojnë për edukimin e fëmijëve;

c) kualifikimin e tyre profesional;

ç) predispozitën e tyre për punë të reja;

d) të drejtat që ata gëzojnë dhe ato që parashikohen për të ardhmen;

dh) pasurinë e tyre, si kapital ose si e ardhur, pas likuidimit të regjimit pasuror martesor.

Neni 150

Ndryshimi i kontributit kompensues mund të kërkohet në gjykatë vetëm në rast se vazhdimi i njëjtë i tij sjell pasoja tepër të rënda për njërin nga ish-bashkëshortët.

Neni 151

            Në rastin e kërkesës së përbashkët, ish-bashkëshortët caktojnë shumën dhe mënyrën e

dhënies së kontributit kompensues me marrëveshje, e cila i paraqitet gjyqtarit për miratim.

            Gjyqtari mund të refuzojë miratimin e marrëveshjes, nëse konstaton se të drejtat dhe

detyrimet e bashkëshortëve janë caktuar në mënyrë të padrejtë.

Neni 152

            Marrëveshja e miratuar nga gjykata mund të ndryshohet vetëm me një marrëveshje të re, të miratuar nga gjykata, kur rrethanat kanë ndryshuar ose kur ato e imponojnë një gjë të tillë.

            Bashkëshortët, në rast ndryshimi të papritur të burimeve dhe nevojave të tyre, mund t’i

kërkojnë gjykatës të rishikojë kontributin kompensues.

Neni 153

E drejta e përdorimit të banesës

Në rast se banesa familjare është në pronësi të njërit ish-bashkëshort dhe bashkëshorti tjetër

nuk ka në pronësi banesë tjetër të përshtatshme në vendbanimin e tyre, gjykata mund të lejojë përdorimin nga ish-bashkëshorti jopronar të banesës kur:

a) fëmijët i janë lënë për rritje dhe edukim këtij të fundit, derisa ata të arrijnë moshën madhore;

b) zgjidhja e martesës bëhet nga ish-bashkëshorti pronar për ndërprerje prej tij të jetesës së përbashkët. Në këtë rast e drejta e përdorimit të banesës është deri në 7 vjet, por në rast se ish-bashkëshorti jopronar rimartohet, e humbet këtë të drejtë;

c) kur ish-bashkëshorti jopronar ka instaluar në banesën e ish-bashkëshortit pronar një kabinet profesional me vlerë të madhe, lëvizja e të cilit do të kërkonte shpenzime të mëdha. Në këtë rast e drejta e përdorimit është deri në 3 vjet.

            Në këto raste gjykata përcakton afatin e përdorimit dhe masën e qirasë që detyrohet të paguaje ish-bashkëshorti jopronar në përputhje me të ardhurat e tij.

            Në çdo rast gjykata mund të zgjidhë kontratën e qirasë, në qoftë se kjo justifikohet nga rrethana të reja.

Neni 154

 Pasojat e zgjidhjes së martesës për fëmijët

Zgjidhja e martesës nuk prek të drejtat dhe detyrimet që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë Kod.

Neni 155

Para se gjykata të marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, të drejtës së vizitës ose të besuarit të fëmijës njërit ish-bashkëshort, duhet të thërrasë një psikolog ose punonjës social, i cili, para se të japë mendimin, duhet të marrë të dhëna për gjendjen materiale dhe morale të familjes, kushtet në të cilat jetojnë dhe ku është më e përshtatshme të jetojë fëmija.

Në rast se gjykata arrin në konkluzionin se fëmija, përkohësisht, duhet t’i besohet një personi të tretë ose një familjeje kujdestare, duhet të marrë mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë së vendit ku zhvillohet gjykimi.

Neni 156

Gjykata vendos për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose për t’i besuar fëmijën një të treti, mbi bazën e kërkesës së njërës prej palëve, pjesëtarëve të familjes ose prokurorit, në rast se ka shkaqe të rënda që janë të lidhura me ushtrimin abuziv të përgjegjësisë prindërore.

Neni 157

Gjyqtari, në këtë rast, merr në konsideratë:

a) marrëveshjen e bërë ndërmjet ish-bashkëshortëve;

b) mendimin dhe ndjenjat e shprehura nga fëmija i mitur, duke vlerësuar moshën dhe

zhvillimin e tij;

c) mendimin e psikologut ose të sektorit të shërbimeve sociale pranë bashkisë, pasi këta të kenë dëgjuar fëmijën.

Neni 158

Prindi, që nuk i është dhënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër.

E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës.

Neni 159

Vendimi lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të ndryshohet në çdo çast nga gjykata, me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, një të afërmi ose të prokurorit.

Neni 160

Në rast të zgjidhjes së martesës me kërkesë të përbashkët, kushtet e marrëveshjes së miratuar nga gjyqtari, lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, mund të rishqyrtohen për shkaqe me rëndësi dhe sipas kërkesës së njërit prej ish-bashkëshortëve ose të prokurorit.

Neni 161

Në vendimin e zgjidhjes së martesës caktohet dhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe për ish-bashkëshortin, nëse është rasti, sipas parashikimeve të kreut “Detyrimi për ushqim” të këtij Kodi.

Neni 162

Çdonjëri prej ish-bashkëshortëve është i detyruar t’i japë tjetrit të dhëna të sakta për pasurinë dhe të ardhurat e tij, kur ato janë të nevojshme për të caktuar detyrimin për ushqim. Me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, punëdhënësi, organet financiare përkatëse, zyrat e tatimeve dhe çdo organ tjetër ku mund të merren prova, janë të detyruar të japin gjithë informacionin e nevojshëm për gjendjen pasurore të ish-bashkëshortit tjetër dhe për të gjitha të ardhurat e tjera të tij.

TITULLI V

BASHKËJETESA

Kuptimi i bashkëjetesës

Neni 163

Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

Neni 164

Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës.

PJESA E TRETË FËMIJËT

TITULLI  I

AMËSIA DHE ATËSIA

KREU I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

Neni 165

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile.

Neni 166

Nuk mund të ngrihet padi për vërtetimin e amësisë ose atësisë për një fëmijë që nuk ka lindur i gjallë.

Neni 167

Nga njohja e amësisë ose e atësisë së një fëmijë të lindur jashtë martese nuk mund të hiqet

dorë.

Neni 168

Në rastin e ngatërrimit ose zëvendësimit të fëmijës, në çdo rast, edhe kur bëhet në mënyrë të pavullnetshme, mund të kërkohet me padi njohjeje ose kundërshtimi një identitet i ndryshëm i fëmijës, nëse konstatimi është bërë përpara ose pas marrjes së aktit të lindjes.

Neni 169

Në mungesë të aktit të lindjes ose në qoftë se fëmija është regjistruar me emër të rremë, ose pa treguar emrin e nënës dhe të atit, amësia dhe atësia mund të vërtetohen me vendim gjyqësor.

Neni 170

Njohja e amësisë dhe atësisë së fëmijës të lindur jashtë martese

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe për prindërit krijon të drejta dhe detyrime të njëjta, në mënyrë prapavepruese, si për fëmijët e lindur nga martesa.

Neni 171

Mbiemri i fëmijës së lindur jashtë martese

Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në qoftë se amësia dhe atësia vendosen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshjeje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit.

Neni 172

Njohja e një fëmijë nuk mund të pasohet nga një njohje tjetër, e ndryshme nga e para, në rast se kjo e fundit nuk është kundërshtuar në rrugë gjyqësore.

Neni 173

Kundërshtimi i njohjes

Njohja mund të kundërshtohet nga të gjithë personat që kanë një interes të ligjshëm dhe që kanë dijeni se njohja e bërë është e pavërtetë. Kundërshtimi mund të bëhet edhe nga personi që ka bërë njohjen, kur ajo është bërë në kushtet e mashtrimit ose kanosjes.

Të drejtën e kundërshtimit të njohjes e ka edhe prokurori, në rast se, nga të dhënat që figurojnë në aktet e gjendjes civile, rezulton pavërtetësia e amësisë dhe atësisë së deklaruar.

Neni 174

Efektet e vendimit

Vendimi i gjykatës që përcakton amësinë ose atësinë ka efekt që nga lindja e fëmijës.

KREU II

AMËSIA

Neni 175

Amësia e fëmijës vërtetohet me aktin e lindjes.

Neni 176

Njohja e amësisë

            Kur fëmija është regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur, nëna mund ta njohë fëmijën. Njohjen e fëmijës mund ta bëjë edhe vetë nëna e mitur.

            Njohja mund të bëhet para nëpunësit të gjendjes civile ose me testament. Njohja e bërë nuk mund të revokohet edhe sikur të jetë bërë me testament.

Neni 177

            Fëmija i regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur mund të kërkojë nga gjykata vërtetimin e amësisë.

            E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk u kalon trashëgimtarëve të fëmijës, por

gjykimi i filluar që më parë mund të vazhdojë nga trashëgimtarët.

            Padia për vërtetimin e amësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të gruas që kërkohet të vërtetohet se është nëna.

            E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk parashkruhet gjatë gjithë kohës që fëmija jeton.

Neni 178

Kundërshtimi i amësisë

            Amësia e treguar ne aktin e lindjes mund të kundërshtohet nga gruaja e regjistruar si nënë e fëmijës ose nga gruaja që kërkon të njihet si nënë ose nga fëmija kur bëhet madhor.

            E drejta e padisë nuk u kalon trashëgimtarëve, por gjykimi i filluar mund të vazhdojë prej tyre. Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të gruas së regjistruar si nënë. E drejta e padisë për kundërshtimin e amësisë nuk parashkruhet.

Neni 179

Kundërshtimi i njohjes së amësisë

            Njohja e amësisë mund të kundërshtohet në gjykate nga gruaja që kërkon të njihet si nënë, nga fëmija kur bëhet madhor ose nga prokurori.

            E drejta e padisë nuk u talon trashëgimtarëve, por gjykimi i filluar më parë mund të

            vazhdojë nga trashëgimtarët e paditësit.

            Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të nënës që ka njohur fëmijën.

            E drejta e padisë për kundërshtimin e amësisë nuk parashkruhet.

KREU III

ATËSIA

Neni 180

Fëmija që ka lindur gjatë martesës prezumohet se ka për atë bashkëshortin e nënës.

Fëmija që ka lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës ose nga shpallja e

pavlefshmërisë së martesës prezumohet se ka për atë ish-bashkëshortin e nënës.

Kur fëmija ka lindur gjatë vazhdimit të martesës së dytë të nënës, prezumohet se ka për atë bashkëshortin e nënës me martesë të dytë, edhe sikur fëmija të ketë lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës së parë ose nga shpallja e pavlefshmërisë së saj.

Neni 181

Njohja e atësisë

Atë i fëmijës së lindur jashtë martese është personi madhor që e njeh fëmijën si të tij. Njohja e atësisë është e vlefshme kur për këtë jep pëlqimin nëna e fëmijës, të cilën e

lajmëron nëpunësi i gjendjes civile. Kur nëna e kundërshton këtë njohje ose nuk përgjigjet brenda 1 muaji nga marrja e lajmërimit, burri që ka njohur fëmijën si të tij mund të ngrejë padi para gjykatës kompetente për të vërtetuar se ai është i ati i fëmijës.

E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti nga data e marrjes së lajmërimit nga nëpunësi i gjendjes civile, për mospranimin nga ana e nënës.

Neni 182

            Ati që ka mbushur moshën tetëmbëdhjete vjeç mund të njohë në çdo kohë fëmijën e tij të lindur jashtë martese para nëpunësit të gjendjes civile ose me testament.

            Njohja e bërë nga i ati ka efekt vetëm ndaj tij, në rastin kur nuk tregohet emri i nënës dhe kur ajo nuk ka dhënë pëlqimin për njohjen e fëmijës.

            Njohja e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese nuk mund të revokohet edhe sikur të jetë bërë me testament.

Neni 183

Padia për vërtetimin e atësisë së një fëmijë të lindur jashtë martese mund të ngrihet nga

nëna e fëmijës edhe kur ajo është e mitur ose nga kujdestari i saj, me pëlqimin e gjykatës.

E drejta e padisë së nënës parashkruhet me kalimin e 3 vjetëve nga lindja e fëmijës.

Padia për vërtetimin e atësisë mund të ngrihet edhe nga vetë fëmija madhor.

E drejta e padisë nuk parashkruhet. Padia për vërtetimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të atij që kërkohet të vërtetohet se ishte i ati i fëmijës.

Neni 184

 Kundërshtimi i atësisë së prezumuar

            Burri, që sipas nenit 180 të këtij Kodi, prezumohet se është atë i një fëmije, mund të

kundërshtojë atësinë e këtij fëmijë. Padia për kundërshtimin e atësisë ngrihet kundër fëmijës, i cili përfaqësohet nga nëna. Kur nëna është në pamundësi dhe fëmija është i mitur, i caktohet një kujdestar i posaçëm nga gjykata.

            E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti, nga data që burri ka marrë dijeni për lindjen e fëmijës.

Neni 185

            Nëna mund të kundërshtojë që të jetë i ati i fëmijës së saj burri që, sipas nenit 180 të këtij Kodi, prezumohet i ati i këtij fëmijë. Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit. E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e një 1 viti nga lindja e fëmijës.

Neni 186

Fëmija, kur bëhet madhor, mund të kundërshtojë që të jetë i ati i tij bashkëshorti i nënës. Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të të atit. E drejta e padisë nuk parashkruhet.

Neni 187

 Kundërshtimi i njohjes së atësisë

Fëmija, kur bëhet madhor, mund të kundërshtojë që të jetë i ati i tij burri që e ka njohur. Padia për kundërshtimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit që ka bërë njohjen. E drejta e padisë nuk parashkruhet.

Neni 188

            Burri që e quan veten si i ati i fëmijës së lindur jashtë martese, mund të kundërshtojë që një burrë tjetër, i cili e ka njohur fëmijën, të jetë i ati i tij. Kjo padi mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të burrit që ka njohur fëmijën si te tij. E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti nga regjistrimi i atësisë në regjistrin e gjendjes civile.

Neni 189

Vërtetimi i atësisë së fëmijës të lindur jashtë martese

Atësia e një fëmije të lindur jashtë martese mund të vërtetohet me vendim të gjykatës, në rast se gjatë gjykimit provohet se në kohën e zënies së fëmijës i ati bashkëjetonte me nënën e fëmijës, ose ka kryer marrëdhënie seksuale me apo pa dhunë, ose i ka premtuar martesë, ose nga një gjykim penal apo civil rezulton në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi atësia e fëmijës së lindur jashtë martese, si dhe kur dihet publikisht se ai e ka njohur fëmijën si të tijin.

Neni 190

 Kur ka shkaqe të përligjura, gjykata mund të zgjasë afatet e mësipërme të parashkrimit, me kërkesën e personit të interesuar.

Neni 191

E drejta e padisë, e parashikuar në nenet 184, 185, 186, 187 dhe 188 të këtij Kodi, nuk u takon trashëgimtarëve të paditësit, por gjykimi i filluar më parë mund të vazhdojë nga trashëgimtarët e tij. Në rast se fëmija është zënë kur mungonte bashkëshorti i nënës dhe ky ka vdekur pa u plotësuar afati brenda të cilit mund te ngrihet padia për kundërshtimin e atësisë, të paralindurit ose të paslindurit e tij mund ta ngrenë padinë brenda 6 muajve nga data e vdekjes së tij.

TITULLI II

DETYRIMI PËR USHQIM

KREU I

PERSONAT E DETYRUAR

Neni 192

Detyrim për ushqim kanë, sipas radhës:

a) bashkëshorti ndaj bashkëshortit tjetër dhe fëmijët ndaj prindërve të tyre;

b) prindërit ndaj fëmijëve të tyre;

c) të paslindurit ndaj të paralindurve të tyre, që nuk janë prindër, sipas radhës më të afërt;

d) të paralindurit ndaj të paslindurve të tyre, që nuk janë fëmijë të tyre, sipas radhës më të

afërt;

d) vëllezërit dhe motrat ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre, sipas radhës më të afërt.

Neni 193

Detyrimi i përfituesit të dhurimit

Përfituesi i dhurimit, në preferencë kundrejt çdo të detyruari tjetër, detyrohet t’i japë dhuruesit detyrimin për ushqim, përveçse kur bëhet fjalë për dhurim të bërë lidhur me një martesë ose për një dhurim me kusht.

Neni 194

Detyrimi midis njerkut, njerkës dhe thjeshtërve të tyre

Kanë detyrim për ushqim edhe njerku e njerka ndaj thjeshtërve të tyre të mitur, përveç rasteve kur këta kanë persona të tjerë që kanë detyrimin për ushqim ndaj tyre dhe janë në gjendje ta japin këtë detyrim. Thjeshtrit kanë detyrimin për ushqim për njerkun dhe njerkën e tyre, kur këta ia kanë dhënë për një kohë të gjatë këtë detyrim dhe janë kujdesur për ta në milici, jo më pak se 10 vjet. Në këtë rast thjeshtrit ngarkohen me dhënien e detyrimit për ushqim njëlloj si ndaj prindërve të tyre.

Neni 195

Detyrimi për ushqim pushon në qoftë se martesa ndërmjet prindit dhe njerkës ose njerkut është zgjidhur.

Neni 196

Pamundësia e dhënies së detyrimit për ushqim

Kur personat e ngarkuar për dhënien e detyrimit për ushqim nuk janë në gjendje që ta japin këtë tërësisht ose pjesërisht, ky detyrim u kalon tërësisht ose pjesërisht personave që janë në radhë të më pasme. Prindërit nuk shkarkohen nga detyrimi për ushqim ndaj fëmijëve të tyre, edhe sikur t’u jetë hequr përgjegjësia prindërore.

Neni 197

 Detyrimi për ushqim ndërmjet prindërve dhe fëmijëve

            Prindërit kanë detyrimin për ushqim ndaj fëmijëve të tyre, kur këta nuk kanë mjete të

mjaftueshme për të jetuar. Një fëmijë i mitur mund t’u kërkojë prindërve të tij detyrimin për ushqim edhe kur ka pasuri, kur të ardhurat nga pasuria dhe nga puna e tij nuk i përmbushin nevojat e tij. Detyrimi për ushqim vazhdon edhe për kohën që fëmijët madhore ndjekin shkollën e mesme ose të lartë, deri në moshën njëzetepesë vjeç.

Neni 198

Detyrimi për ushqim lind vetëm kur personi që kërkon këtë detyrim është i paaftë për punë dhe nuk ka mjete të mjaftueshme për të jetuar.

Neni 199

Detyrimi ndërmjet bashkëshortëve

            Bashkëshorti që është i paaftë për punë dhe pa mjete të mjaftueshme për të jetuar, ka të drejtë të kërkojë detyrimin për ushqim nga bashkëshorti tjetër. Detyrimi për ushqim kërkohet në të njëjtën kohë me padinë për zgjidhjen e martesës. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe brenda 6 muajve, nga data që vendimi për zgjidhjen e martesës ka marrë formë të prerë, me kusht që paaftësia dhe mungesa e mjeteve të mjaftueshme për të jetuar të kenë ekzistuar gjatë martesës.

Neni 200

Mbarimi i detyrimit ndërmjet bashkëshortëve

            Detyrimi për ushqim, sipas nenit 199 të këtij Kodi, caktohet për një kohë jo më të gjatë se 6 vjet pas zgjidhjes së martesës. Ky detyrim pushon para këtij afati, kur bashkëshorti, që e gëzonte këtë të drejtë, lidh martesë të re ose bëhet i aftë për punë, ose siguron mjete të mjaftueshme për të jetuar, ose kur gjykata, duke marrë parasysh rrethanat, çmon se nuk është i denjë për tëpërfituar nga kjo e drejtë.

Neni 201

 Kufijtë e detyrimit për ushqim

            Detyrimi për ushqim mund të kërkohet vetëm nga ai që është nevojtar dhe nuk është në gjendje të sigurojë nevojat e domosdoshme të tij. Detyrimi për ushqim duhet të caktohet në raport me nevojat e atij që e kërkon dhe mundësitë ekonomike të atij që detyrohet. Ai nuk duhet të kapërcejë atë që është e nevojshme për jetën e personit që përfiton detyrimin për ushqim, duke pasur parasysh rrethanat e jetës së tij.

Neni 202

Në rastin e dhurimit, përfituesi i tij nuk mund të detyrohet më shumë sesa vlera e pasurisë së dhuruar që ekziston në pasurinë e tij.

Neni 203

Kufijtë e detyrimit midis vëllezërve dhe motrave

            Detyrimi për ushqim midis vëllezërve dhe motrave kufizohet vetëm në nevojat e

domosdoshme. Këtu mund të përfshihen edhe shpenzimet e edukimit dhe arsimimit, kur bëhet fjalë për vëllezërit dhe motrat e mitura.

Neni 204

Konkurrimi i të detyruarve

Nëse për dhënien e detyrimit për ushqim ka shumë të detyruar të së njëjtës shkallë, të gjithë janë të detyruar solidarisht në dhënien e këtij detyrimi, secili në raport me mundësitë e tij ekonomike. Nëse personat e thirrur në një shkallë të mëparshme nuk janë në gjendje që ta përballojnë plotësisht ose pjesërisht detyrimin për ushqim, ky u kalon plotësisht ose pjesërisht personave të thirrur në një shkallë të më pasme.

Neni 205

            Nëse personat e detyruar nuk bien dakord për kufijtë e detyrimit për ushqim, për

shpërndarjen dhe mënyrën e dhënies së tij, sipas rrethanave konkrete, vendos gjykata.

Neni 206

Konkurrimi i personave që marrin detyrimin për ushqim

Kur disa persona marrin detyrimin për ushqim nga i njëjti person i detyruar dhe kur ky i fundit nuk është në gjendje të përballojë nevojat e secilit prej tyre, gjykata vendos detyrimin për ushqim, duke marrë parasysh shkallën e afërsisë dhe nevojat që ka secili prej personave që merr këtë detyrim.

Neni 207

Heqja, pakësimi ose shtimi i detyrimit për ushqim

Gjykata, me kërkesën e personit të interesuar, mund të pakësojë, të heqë ose të shtojë detyrimin për ushqim, të caktuar me vendim të formës së prerë, kur rrethanat në bazë të të cilave është dhënë vendimi kanë ndryshuar më vonë. Detyrimi për ushqim mund të pakësohet edhe për shkak të sjelljes së çrregullt ose të qortueshme të personit që e përfiton atë.

            Nëse pas përcaktimit të detyrimit për ushqim konstatohet se një nga personat e detyruar në shkallë të mëparshme është në gjendje që ta japë atë, gjykata vendos zëvendësimin këtij detyrimi. Në këtë rast, person i detyruar në shkallën e më pasme nuk çlirohet nga ky detyrim, pa u caktuar detyrimi për ushqim ndaj personit në shkalën e mëparshme.

Neni 208

Pagimi i shpenzimeve

Cilido që ka bërë shpenzime për ushqimin e një person, pa qënë i detyruar, ka të drejtë të kërkojë me padi kthimin e asaj që ka paguar nga ai që ka qenë i detyruar për ushqim, në qoftë se shpenzimet e bën kanë qenë të nevojshme.

Neni 209

Mënyra e përmbushjes së detyrimit për ushqim

Personi që ka detyrimin për ushqim ka të drejtën e zgjedhjes për përmbushjen e detyrimit nëpërmjet pagesës bankare ose të drejtpërdrejtë, që parapaguhet periodikisht, ose duke e mbajtur në shtëpinë e tij atë që merr detyrimin për ushqim. Gjykata, sipas rrethanave, përcakton mënyrën e dhënies së detyrimit për ushqim. Në rast nevoje urgjente, gjykata vendos detyrimin për ushqim në ngarkim të njërit prej personave të detyruar. Në këtë rast, personi i detyruar ruan të drejtën e padisë së regresit ndaj personave të tjerë.

Neni 210

Fillimi i detyrimit për ushqim

 Detyrimi për ushqim fillon nga data e ngritjes së padisë. Pakësimi ose heqja e detyrimit për ushqim, të caktuar me vendim të formës së prerë dhe të paekzekutuar, fillon nga data kur kanë ndryshuar rrethanat, në bazë të të cilave është dhënë vendimi, kurse shtimi i tij fillon nga data e ngritjes së padisë.

Neni 211

Kur një vendim, që përmban një detyrim për ushqim, vihet në ekzekutim pas 6 muajve nga data që ka marrë formë të prerë, detyrimet e prapambetura për ushqim janë të kërkueshme vetëm për 6 muajt e fundit.

Neni 212

Pushimi i detyrimit për ushqim

            Detyrimi për ushqim pushon me vdekjen e personit të detyruar, personit që e përfiton atë, edhe sikur ky detyrim, që përmbahet në një vendim të formës së prerë, të mos jetë ekzekutuar.

Neni 213

 Ndalimi i kompensimit dhe i zëvendësimit të detyrimit për ushqim

E drejta për të kërkuar detyrimin për ushqim nuk mund t’i kalojë një personi tjetër. Personi që ka detyrimin për ushqim nuk mund të kërkojë që ky detyrim të shlyhet me një kredi që ka ndaj personit që e përfiton atë, edhe sikur të ketë detyrime të prapambetura për ushqim.

Neni 214

Heqja dorë

            Heqja dorë nga e drejta për të marrë detyrimin për ushqim për kohën e ardhshme është e pavlefshme.

TITULLI III

PËRGJEGJËSIA PRINDËRORE

KREU I

KUPTIMI I PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE

Neni 215

Përgjegjësia prindërore përfshin tërësinë e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake me të, duke i siguruar atij mirërritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij.

Neni 216

Kufijtë e përgjegjësisë prindërore

Fëmija ndodhet nën përgjegjësinë prindërore deri në arritjen e moshës madhore.

Neni 217

Detyrimi reciprok

Prindërit dhe fëmijët reciprokisht duhet të ndihmojnë, të duan dhe të respektojnë njëri-tjetrin.

Neni 218

Kthimi i fëmijës

            Prindërit mund të kërkojnë nga gjykata kthimin e fëmijës së tyre të mitur, kur nuk jeton pranë tyre dhe mbahet pa të drejtë nga persona të tjerë. Gjykata, për rrethana të rënda, mund të mos vendosë kthimin, në qoftë se ky vjen në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës. Gjykata merr edhe mendimin e fëmijës kur ka mbushur moshën dhjetë vjeç.

Neni 219

Marrëdhëniet e fëmijës me gjyshërit

Prindërit nuk mund të ndalojnë fëmijën të ketë marrëdhënie vetjake me gjyshërit e tij, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë shkaqe të rënda. Në rast mosmarrëveshjeje midis palëve, gjykata mund të vendosë për mënyrën e rregullimit të këtyre marrëdhënieve.

KREU II

USHTRIMI I PËRGJEGJËSISË PRINDËRORE

Neni 220

Ushtrimi i përbashkët i përgjegjësisë prindërore

Përgjegjësia prindërore u përket dhe ushtrohet së bashku nga të dy prindërit në lidhje me fëmijën e lindur gjatë martesës së tyre ose jashtë martese, nëse është njohur nga të dy prindërit.

Neni 221

Në qoftë se prindërit nuk bien dakord për atë që kërkon interesi i fëmijës, ata mund t’i drejtohen gjykatës, e cila vendos pasi është përpjekur ta zgjidhë çështjen me pajtim.

Neni 222

Kur njeri nga prindërit kryen një veprim të zakonshëm me të tretët, që lidhet me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, ai prezumohet se ka marrë edhe pëlqimin e prindit tjetër.

Neni 223

Humbja e përgjegjësisë prindërore

            Prindërit e fëmijës mund të humbasin përgjegjësinë prindërore nëpërmjet një vendimi penal që i ka dënuar ata si autorë ose si bashkëpunëtorë për një vepër penale ndaj fëmijës së tyre, si bashkëpunëtorë në një vepër penale të kryer nga fëmija i tyre ose nëse janë dënuar për ndonjë nga shkaqet e braktisjes së familjes, për sa kohë që ata nuk kanë marrë përsipër detyrimet që kanë ndaj saj.

Neni 224

Pamundësia e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore

Në qoftë se prindërit e fëmijës kanë vdekur, janë në pamundësi të ushtrojnë përgjegjësinë prindërore për shkak të pazotësisë për të vepruar, të mungesës ose për arsye veçanërisht të rënda, fëmija mund t’i besohet një anëtari të familjes, një personi të caktuar si kujdestar, një familjeje kujdestare ose edhe një institucioni të përkujdesjes. Në këtë rast merret mendimi i sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale, sipas dispozitave për kujdestarinë.

Neni 225

Në qoftë se njeri nga prindërit është para pamundësisë së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose kur njeri nga prindërit ka vdekur, përgjegjësia prindërore ushtrohet nga prindi tjetër.

Neni 226

Përgjegjësia prindërore pas zgjidhjes së martesës

Në qoftë se prindërit e fëmijës kanë zgjidhur martesën, ushtrimi i përgjegjësisë prindërore bëhet sipas Kreut III “Pasojat e zgjidhjes së martesës” të këtij Kodi.

Neni 227

Përgjegjësia prindërore ndaj fëmijës së lindur jashtë martese

Përgjegjësia prindërore ndaj fëmijës së lindur jashtë martese ushtrohet nga prindi që e ka njohur fëmijën si të tij. Në qoftë se ai është njohur nga të dy prindërit, përgjegjësinë prindërore e kanë të dy prindërit. Me kërkesë të të atit, të nënës ose të prokurorit, gjykata mund të ndryshojë kushtet e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore dhe të vendosë që ai të ushtrohet nga njeri prind ose nga të dy bashkërisht. Gjykata në këtë rast vendos se me cilin prind do të banojë fëmija. Gjykata vendos për të drejtën e vizitës dhe të mbikëqyrjes së prindit, me të cilin fëmija nuk banon.

Neni 228

Heqja e përgjegjësisë prindërore

Kur prindi shpërdoron përgjegjësinë prindërore ose tregon pakujdesi të rëndë në ushtrimin e saj, ose me veprimet e tij ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijëve, me kërkesën e prindit tjetër, të të afërmve të fëmijës ose të prokurorit, mund t’i hiqet përgjegjësia prindërore. Heqja e përgjegjësisë prindërore bëhet me vendim të gjykatës, duke u thirrur si i paditur prindi, për të cilin kërkohet kjo heqje.

Neni 229

            Gjykata vendos që heqja e përgjegjësisë prindërore të shtrihet mbi të gjithë ose mbi disa nga fëmijët e lindur para vendimit të gjykatës për heqjen e përgjegjësisë. Heqja e përgjegjësisë prindërore e shkarkon fëmijën nga detyrimi për ushqim ndaj prindërve, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos ndryshe.

Neni 230

Kthimi i përgjegjësisë prindërore

Përgjegjësia prindërore mund të kthehet me vendim të gjykatës, kur pushon shkaku për të cilin është hequr kjo përgjegjësi.

KREU III

PËRGJEGJËSIA PRINDËRORE PËR PASURINË E FËMIJËS

Neni 231

Përfaqësimi dhe administrimi

Prindërit e fëmijës kanë të drejtën e administrimit dhe të përdorimit të pasurisë së fëmijës së

tyre.

Neni 232

Prindërit përfaqësojnë fëmijën e tyre të mitur që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç në të gjitha veprimet juridike, me përjashtim të atyre që, sipas ligjit, i mituri mund t’i kryejë vetë. I mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç i kryen vetë veprimet juridike, por kurdoherë me pëlqimin paraprak të prindërve, me përjashtim të atyre që, sipas ligjit, mund t’i kryejë vetë.

Neni 233

Pasuria e të miturit që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç administrohet nga prindërit në dobi të fëmijës, kurse pasuria e të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç administrohet nga vetë i mituri, por gjithmonë me pëlqimin paraprak të prindërve.

Neni 234

Tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme të çdo fëmije të mitur deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, lënia hipotekë, ngarkimi me një barrë, marrja hua në emër të të miturit, heqja dorë nga trashëgimia apo leku ose mospranimi i një dhurimi, si dhe përgjithësisht veprimet që kapërcejnë kufijtë e një administrimi të thjeshtë të çdo pasurie të të miturit, mund të kryhen vetëm kur e kërkon interesi i të miturit dhe me autorizim të gjykatës së vendbanimit të të miturit. Veprimi juridik, që është kryer pa u marrë autorizimi i gjykatës, mund të shpallet i pavlefshëm me kërkesën e prokurorit, të prindit ose të kujdestarit të të miturit. Në qoftë se gjykata jep pëlqimin më vonë, veprimi juridik nuk shpallet i pavlefshëm.

Neni 235

Përdorimi i të ardhurave të fëmijës

            Prindërit mund të përdorin të ardhurat nga pasuria e fëmijës, që ata administrojnë, për

mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e tij.Ata mund t’i përdorin këto të ardhura, për të plotësuar nevojat e domosdoshme të familjes, kur nuk kanë pasuri të mjaftueshme për t’i plotësuar vetë ata. Të ardhurat e mbetura kthehen në pasurinë e fëmijës.

Neni 236

Administrimi i pasurisë

Administrimi i pasurisë së fëmijës bëhet nga të dy prindërit bashkërisht, në rastin kur ata e ushtrojnë përgjegjësinë prindërore bashkërisht dhe në rastet e tjera ose nga i ati apo nga nëna Nën kontrollin e gjykatës, sipas neneve 234 dhe 235 të këtij Kodi. E drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës është e lidhur me të drejtën e administrimit ligjor. Kjo e drejtë u takon të dy prindërve bashkërisht ose atij që është i ngarkuar me administrimin e pasurisë së fëmijës.

Neni 237

E drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës nga prindi pushon:

a) kur fëmija bëhet madhor;

b) për shkaqet për të cilat merr fund përgjegjësia prindërore ose administrimi ligjor;

c) për të gjitha shkaqet që lidhen me marrjen fund të uzufruktit.

Neni 238

Detyrimet që lidhen me të drejtën e përdorimit të pasurisë së fëmijës janë:

a) detyrimet që kanë personat që gëzojnë të drejtën e uzufruktit në një pasuri;

b) detyrimi për ushqim, mirërritje, edukim dhe arsimim të fëmijës, në bazë të pasurisë.

Neni 239

E drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës nuk shtrihet mbi pasurinë që ai fiton nga puna e tij, as mbi pasurinë që i është dhuruar ose që i ka kaluar me trashëgimi, kur prindi është ndaluar shprehimisht të këtë të drejtën e përdorimit mbi këtë pasuri.

TITULLI IV

BIRËSIMI

Neni240

Interesi i të miturit

Birësimi lejohet vetëm në rast se është në interesin e lartë të të miturit dhe garanton respektimin e të drejtave të tij themelore.

Neni 241

Kushtet e birësimit

Birësohet vetëm i mituri. Birësuesi duhet të ketë një diference moshe të paktën 18 vjet me të birësuarin. Në qoftë se birësohet fëmija i bashkëshortit, diferenca e moshës duhet të jetë jo më pak se 15 vjet.

Neni 242

I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë. Birësimi i ri lejohet pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve apo pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa është paraqitur nga bashkëshorti i ri i birësuesit.

Neni 243

Ndalimet e birësimit

Nuk mund të birësohet një person nga të paralindurit e tij, si edhe vëllai nga motra dhe anasjelltas.

Neni 244

Nuk mund të birësohet një person nga kujdestari i tij, pa u parë përpara nga gjykata administrimi i pasurisë së të miturit prej tij, dorëzimi i pasurisë së të miturit, si dhe vlerësimi i detyrimeve në ngarkim të kujdestarit ose dhënia e garancisë nga kujdestari për përmbushjen e këtyre detyrimeve.

Neni 245

Personi nuk mund të birësojë kur:

a) i është hequr nga gjykata përgjegjësia prindërore;

b) vuan nga një sëmundje psikike ose ka zhvillim mendor të metë, si dhe vuan nga një

sëmundje, e cila mund të verë në rrezik shëndetin dhe jetën e atij që do të birësohet;

c) nuk ka garancinë si person, se do të kryejë në rregull detyrën e birësuesit në lidhje me mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e atij që do të birësohet.

Neni 246

 Pëlqimi për birësim

Për birësimin e të miturit kërkohet pëlqimi i të dy prindërve të tij. Në qoftë se njeri nga të dy prindërit ka vdekur, nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij ose i është hequr përgjegjësia prindërore, pëlqimi i prindit tjetër është i mjaftueshëm. Kur fëmijës i kanë vdekur të dy prindërit, kur atyre u është hequr zotësia për të vepruar ose janë të panjohur, gjykata vendos nëse fëmija duhet të birësohet. Kur birësuesi është i martuar, duhet të merret pëlqimi i bashkëshortit të tij. Kur i birësuari ka mbushur moshën dhjetë vjeç  merret mendimi i tij dhe në moshën dymbëdhjetë vjeç kërkohet pëlqimi i tij.

Neni 247

Pëlqimi për birësim jepet përpara gjykatës kompetente. Në rast se personi ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij në një shtet tjetër, mund të japë pëlqimin para agjentit diplomatik ose konsullor pranë ambasadës ose konsullatës shqiptare.

Neni 248

            Pëlqimi për birësim mund të tërhiqet nga prindërit biologjike, brenda 3 muajve nga çasti i dhënies së tij. Kjo periudhë shërben edhe si periudhë prove për marrëdhëniet midis birësuesve dhe tëbirësuarit. Periudha e provës shërben për të vendosur një marrëdhënie birësuese midis një fëmijë dhe një familjeje. Prindërit mund të tërheqin pëlqimin e tyre edhe pas kalimit të afatit tremujor, deri në çastin e marrjes së vendimit nga gjykata kompetente. Gjykata, përpara se të vendosë, duhet të verifikojë nëse janë plotësuar afatet e mësipërme, nëse janë bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për kthimin e fëmijës pranë prindërve biologjike dhe nëse gjatë bashkimit ka funksionuar marrëdhënia e të miturit me birësuesit. Në qoftë se peroni, që i është besuar fëmija gjatë periudhës së provës dhe më pas, refuzon ta kthejë atë, prindërit mund t’i drejtohen gjykatës, e cila mund të vendose kthimin e fëmijës në rast se kjo është në interesin e tij.

Neni 249

            Nëse birësuesi vdes pasi ka dhënë pëlqimin dhe para dhënies së vendimit, gjykata mund të vazhdojë procedurën e gjykimit për përfundimin e birësimit. Trashëgimtarët e birësuesit mund të paraqesin në gjykatë pretendime për tëkundërshtuar birësimin. Nëse birësimi pranohet nga gjykata, ai sjell efekte që nga  çasti i dhënies së pëlqimit nga birësuesi.

Neni 250

 Deklarimi i braktisjes

Gjykata e rrethit mund të deklarojë të braktisur të miturin që ndodhet pranë një institucioni të përkujdesjes sociale, publik ose privat, ose të personit që e ka në përkujdesje, kur prindërit e tij, në mënyrë të dukshme, nuk janë interesuar për të gjatë një viti, përpara paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes. Kur i mituri ka qënë strehuar që nga lindja e tij në një institucion, afati prej 1 viti kufizohet në 3 muaj. Konsiderohen në mënyrë të dukshme të painteresuar për fëmijën prindërit që vullnetarisht nuk kanë mbajtur marrëdhënie të përzemërta të nevojshme për rritjen e tij dhe që kanë treguar pakujdesi të rëndë në ushtrimin e përgjegjësisë prindërore. Gjykata i kërkon personit që ka paraqitur kërkesën shpjegime nëse ka bërë përpjekje për gjetjen e prindërve biologjike të fëmijës dhe kthimin e fëmijës në familjen biologjike, nëse kjo është e mundur. Braktisja nuk deklarohet kur, gjatë afatit të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, një anëtar i familjes ka kërkuar të marrë përsipër rritjen e fëmijës dhe kjo kërkesë është konsideruar në përputhje me interesin e fëmijës.

Neni 251

Kërkesa për deklarimin e braktisjes bëhet nga drejtuesi i institucionit ku ndodhet fëmija ose nga personi që e ka në përkujdesje. Kërkesa i dërgohet gjykatës, nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni ose vendbanimi i personit që e ka marrë në përkujdesje të miturin. Çdo person që ka një interes ligjshëm për mbrojtjen e fëmijës, mund të ndërhyjë në procesin e gjykimit. Gjykata, që deklaron të braktisur të miturin, cakton në të njëjtin vendim edhe kujdestarin për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e fëmijës, një institucion të përkujdesjes sociale ose një person të caktuar, nisur nga interesi më i lartë i të miturit.

Neni 252

Paraqitja e kërkesës

            Personat që dëshirojnë të birësojnë të mitur shqiptarë mund të birësojnë vetëm të miturit që figurojnë në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit. Komiteti Shqiptar i Birësimit është autoritet qendror i pavarur, veprimtaria e të cilit rregullohet me ligj të veçantë.

            Shtetasit e huaj nuk mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit Shqiptar të Birësimit. Kërkesa e tyre i paraqitet Komitetit Shqiptar të Birësimit nëpërmjet autoriteteve publike kompetente ose organizmave private të parashikuar në ligj. Kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të legalizuara, sipas ligjit të vendit ku jeton birësuesi. Shtetasit shqiptare që kanë vendbanimin e tyre jashtë vendit dhe shtetasit e huaj rezidente prej 2 vjetësh në Shqipëri, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Neni 253

Detyrimi i Komitetit Shqiptar të Birësimit

 Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse, Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon gjykatës studimin për personin që kërkon të birësojë dhe atë të të miturit që mund të birësohet. Komiteti Shqiptar i Birësimit i dërgon gjykatës edhe pëlqimin me shkrim për këtë birësim dhe për birësimet ndërvendase, si dhe konfirmimin se i mituri nuk ka pasur mundësi të birësohet në Shqipëri për një afat prej 6 muajsh nga data e regjistrimit në listat e këtij Komiteti.

Neni 254

Gjykata kompetente

            Kërkesa për birësim, e bërë nga një shtetas shqiptar, bëhet në gjykatën e vendbanimit të personit që kërkon të birësojë. Kërkesa për birësim, e bërë nga një shtetas i huaj ose shqiptar që banon jashtë shtetit, paraqitet në gjykatën nën juridiksionin e së cilës ndodhet vendbanimi i të miturit. Kërkesa për birësimin e të miturit shqiptar që banon jashtë shtetit paraqitet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

Neni 255

 Ndërhyrja në proces

Çdo person që ka një interes të ligjshëm për mbrojtjen e të miturit si dhe prokurori mund të ndërhyjnë në procesin e birësimit, si dhe kanë të drejtën e ankimit kundër vendimit të gjykatës.

Neni 256

Në rast se gjatë procedurës për birësimin e një fëmijë rezulton se është paraqitur një kërkesë në gjykatë, për njohje atësie, procedura pezullohet deri në përfundim të gjykimit për njohjen e atësisë.

Neni 257

Ndalimet për birësimin ndërvendas

 Kushtet dhe efektet e birësimit të shpallur në Shqipëri përcaktohen nga legjislacioni shqiptar. Birësimi ndërvendas nuk lejohet kur:

a) birësimi nuk njihet në shtetin ku banojnë birësuesit;

b) arrihet në përfundimin se birësimi është me pasoja të rënda për të miturin;

c) i mituri, në shtetin ku banojnë birësuesit, nuk gëzon të njëjtat të drejta që njihen në

Shqipëri.

Birësimi ndërvendas lejohet pasi fëmija ka qëndruar në pritje për 6 muaj në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit dhe, gjatë kësaj periudhe, janë ezauruar të gjitha mundësitë për të bërë birësimin brenda vendit.

Neni 258

Efektet e birësimit

Birësimi i prodhon efektet e tij nga data që vendimi merr formë të prerë. Birësimi është i parevokueshëm. Gjykata i dërgon vendimin e formës së prerë për regjistrim zyrës së gjendjes civile, ku ka regjistrin themeltar birësuesi.

Neni 259

 Marrëdhëniet ndërmjet birësuesit dhe të birësuarit

Me birësimin ndërmjet birësuesit dhe gjinisë së tij, nga njëra anë, dhe të birësuarit dhe të paslindurve të tij, nga ana tjetër, lindin të drejta dhe detyra të njëjta me ato që kanë ndërmjet tyre personat që janë gjini. Të drejtat dhe detyrat ndërmjet të birësuarit dhe të paslindurve të tij, nga njëra anë, dhe gjinisë së tij, nga ana tjetër, pushojnë. Kur njeri nga prindërit e të birësuarit është bashkëshort i birësuesit, i birësuari nuk i shkëput lidhjet me këtë prind dhe gjininë e tij.

Neni 260

Atësia, mëmësia dhe mbiemri i te birësuarit

I birësuari merr mbiemrin e birësuesit dhe në rast të birësimit nga të dy bashkëshortët, mbiemrin e përbashkët të tyre. Në qoftë se ata kanë mbiemra të ndryshëm vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë i birësuari. Në rast mosmarrëveshjeje fëmija merr mbiemrin e të atit. Me kërkesë të birësuesit ose të birësuesve, gjykata mund të ndryshojë emrin e të birësuarit. I birësuari merr për emër nënë dhe ati atë të birësuesit ose birësuesve të tij.

Neni 261

Për birësimin surrogativ, të parashikuar në ligjin nr.8876, datë 4.4.2002 “Për shëndetin riprodhues”, zbatohen të njëjtat kritere dhe procedura për birësimin, sipas këtij Kodi dhe legjislacionit përkatës.

Neni 262

            I mituri, prindërit biologjike dhe birësuesit kanë të drejtën e mirëbesimit për procesin dhe dokumentacionin e birësimit, si shprehje të respektimit të jetës private.

            Kur mosha dhe niveli i pjekurisë e lejojnë, i mituri ka të drejtë të njihet me historinë e tij dhe, nëse është e mundur, me të dhënat për prindërit biologjike.

TITULLI V

KUJDESTARIA

KREU I

KUJDESTARIA MBI TË MITURIT

Neni 263

Vendosja e kujdestarisë

Fëmijët e mitur vendosen në kujdestari dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur si të pagjetur, u është hequr përgjegjësia prindërore ose u është hequr zotësia për të vepruar, si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata. Gjykata kompetente për vendosjen në kujdestari të të miturit është ajo e vendbanimit ose vendqëndrimit të të miturit.

Neni 264

 E drejta për paraqitjen e kërkesës

Të drejtën për paraqitjen e kërkesës në gjykatë për kujdestar mbi të miturin e kanë:

a) të afërmit e fëmijës së mitur;

b) cilido që merr njoftim për mbetjen e fëmijës pa prindër ose për lindjen e një fëmijë me

prindër të panjohur;

d) vetë i mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç;

ç) prokurori;

d) noteri, i cili në çeljen e një testamenti vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari.

Neni 265

            Gjykata vendos si kujdestar personin e caktuar nga prindi, që ka ushtruar i fundit

përgjegjësinë prindërore, me testament ose deklaratë noteriale.

            Kujdestari i caktuar, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nuk është i detyruar të pranojë kujdestarinë.

            Në rastet kur kujdestari i caktuar sipas këtij neni nuk plotëson kushtet e kërkuara nga ky Kod, kujdestaria vendoset nga gjykata.

Neni 266

Familja kujdestare

            Familja kujdestare është një familje alternative, e vendosur nga gjykata, për t’i ofruar

fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale.

Evidentimi i familjeve kujdestare është përgjegjësi e sektorit të ndihmës dhe shërbimit social pranë bashkisë ose komunës ku banon i mituri, e cila realizohet me firmosen e një deklarate gatishmërie nga familja për të marrë fëmijë në kujdestari. Numri i fëmijëve që i jepen në kujdestari të familjeje kujdestare duhet të jetë i kufizuar, duke u dhënë prioritet në këtë vendosje fëmijëve që janë vëllezër dhe motra me njeri-tjetrin.

Neni 267

Në rast se nuk është caktuar kujdestar nga prindi që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, gjykata i jep prioritet zgjedhjes së kujdestarit midis paraardhësve, personave të afërt të të miturit, një familjeje kujdestare dhe, si alternative të fundit, institucionin publik ose privat. Para se gjyqtari të caktojë kujdestarin, duhet të dëgjojë personin e zgjedhur si të tillë dhe të marrë mendimin e të miturit nëse ai ka mbushur moshën dhjetë vjeç.

Gjykata, në çdo rast, merr mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës së vendit ku zhvillohet gjykimi, i cili përmban ekzaminimin e zhvillimit të personalitetit të fëmijës në kontekstin familjar edukativ e social dhe ekzaminimin e kushteve dhe përshtatshmërisë së fëmijës me personin kujdestar të ardhshëm, të familjes kujdestare ose institucionit të përkujdesjes. Caktimi i kujdestarit nga gjykata bëhet duke parë cilësitë e personit kujdestar, të familjes kujdestare të zgjedhur ose të institucionit të përkujdesjes, sipas paragrafit të tretë të këtij neni, si dhe pasi ka dëgjuar mendimin e një psikologu, që duhet të jetë i pranishëm gjatë gjykimit.

Neni 268

Njoftimi i gjykatës

Nëpunësi i gjendjes civile, që merr njoftimin për vdekjen e të dy prindërve ose prindit të vetëm, që ka lënë fëmijë në moshë të mitur, ose të lindjes së një fëmijë nga prindër të panjohur, dhe noteri që çel një testament, ku parashikohet caktimi i një kujdestari, duhet të njoftojnë gjykatën për faktin brenda 10 ditëve. Njoftimi i gjykatës mund të bëhet edhe nga të afërmit e të miturit ose persona të tjerë të interesuar. Gjykata, brenda 30 ditëve nga marrja njoftim ose nga paraqitja e kërkesës, vendos për caktimin e kujdestarit të të miturit.

Neni 269

Kujdestaria mbi disa të mitur

Për të miturit që janë vëllezër e motra caktohet një kujdestar i vetëm, përveç rastit kur rrethanat e veçanta kërkojnë domosdoshmërinë e caktimit të më shumë se një kujdestari.

Neni 270

Paaftësia dhe papajtueshmëria për të qënë kujdestar

Nuk mund të caktohet kujdestar personi që:

a) është vetë në kujdestari;

b) ka konflikt interesash me të miturin;

c) nuk ka administrimin e lirë të pasurisë së tij;

ç) është përjashtuar nga kujdestaria për shkak të deklarimit me shkrim të prindit që ka

ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore;

d) ka humbur ose i është hequr përgjegjësia prindërore, ose i është hequr detyra e

kujdestarit në një rast tjetër;

dh) është i dënuar me burgim për një vepër penale dhe është gjatë kohës së vuajtjes së

dënimit, si dhe kur është dënuar për krime ndaj të miturve.

e) ka mbushur moshën 65 vjeç;

ë) për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund ta ushtrojë me lehtësi kujdestarinë;

f) ushtron përgjegjësinë prindërore në më shumë se tre fëmijë;

g) është i ngarkuar me më shumë se dy kujdestari;

gj) nuk jep pëlqimin për të qënë kujdestar.

Neni 271

Kujdestaria në institucionet e përkujdesjes

Kujdestaria mbi të miturin, i cili nuk ka të afërm të njohur ose të aftë për të ushtruar detyrën e kujdestarit, mund t’i jepet nga gjykata një institucioni publik ose privat të licencuar për përkujdesjen e fëmijëve. Drejtuesi i institucionit i delegon njërit nga punonjësit e tij të drejtën e ushtrimit të funksioneve të kujdestarit.

Drejtuesi i institucionit, brenda 10 ditëve nga caktimi i personit që merr funksionet e kujdestarit, i dërgon gjykatës aktin përkatës, i cili depozitohet në dosjen gjyqësore dhe pasqyrohet në regjistrin e kujdestarisë.

Neni 272

Funksionet e kujdestarit

Kujdestari kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë në të gjitha veprimet juridike dhe administron pasurinë e tij, sipas dispozitave të këtij Kodi.

Neni 273

Detyrat e të miturit

I mituri duhet ta respektojë dhe t’i bindet kujdestarit. Ai nuk mund të braktisë banesën ose institucionin ku është lënë pa lejen e kujdestarit. Kur largohet pa leje, kujdestari ka të drejtë ta kërkojë të miturin dhe, nëse është e nevojshme, t’i drejtohet gjykatës për kthimin e tij. Gjatë gjykimit duhet të dëgjohet dhe i mituri që ka mbushur moshën dhjetë vjeç, në praninë  e psikologut.

Neni 274

Rastet e kujdestarisë së posaçme

Gjykata vendos caktimin e një kujdestari të posaçme kur:

a) ka konflikt interesash midis të miturit dhe prindërve ose midis të miturit dhe kujdestarit

të tij, si dhe kur midis tyre duhet të kryhet një veprim juridik;

b) ka konflikt interesash midis të miturve, vëllezër dhe motra, që kanë të njëjtin kujdestar ose kur duhet të kryhet një veprim juridik midis tyre;

c) për shkak sëmundjeje ose për shkaqe të tjera, kujdestari i caktuar pengohet të kryejë një veprim të caktuar ose të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi.

Neni 275

Caktimi i kujdestarit të posaçme

Kujdestari i posaçme caktohet nga gjykata mbi bazën e kërkesës së prindit, të kujdestarit, së të afërmve të të miturit, të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe personave të interesuar.

Neni 276

Me caktimin e kujdestarit të posaçme, gjykata cakton kufijtë e detyrave dhe të drejtave të kujdestarit, sipas rrethanave të çdo rasti të veçantë.

Neni 277

Gjykata kompetente

Gjykata kompetente për caktimin e kujdestarit të posaçme është ajo e vendbanimit ose e vendqëndrimit të të miturit, ose e vendit ku ndodhet pasuria e tij.

Neni 278

Funksionet e kujdestarit të posaçme

            Kujdestari i posaçme përfaqëson të miturin në rastet kur interesi i tij është në konflikt me interesin e kujdestarit.

            Kur kujdestari i posaçme ndodhet në konflikt interesash me të miturin, gjyqtari emëron një kujdestar tjetër.

Kujdestari i posaçme duhet të kërkojë caktimin e një kujdestari të ri në çastin kur kujdestari nuk kryen ose braktis detyrën. Kujdestari i posaçme kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë dhe mund të kryejë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe administrimin e pasurisë në raste urgjente.

Neni 279

Dhurimi ose disponimi me testament

Dhuruesi ose personi që disponon me testament në favor të një të mituri, edhe pse ky i fundit është nën përgjegjësinë e prindërve të tij, mund t’i caktojë atij një kujdestar të posaçme për pranimin dhe administrimin e pasurisë së dhuruar ose të lënë atij me testament.

Nëse dhuruesi ose testatori nuk ka vendosur ndryshe, kujdestari i posaçme duhet të ushtrojë të drejtat dhe detyrat e tij, sipas dispozitave për administrimin të këtij Kodi.

Neni 280

Mbarimi i kujdestarisë së posaçme

Kujdestaria e posaçme mbaron kur pushojnë shkaqet për të cilat është vendosur. Mbarimi i kujdestarisë së posaçme bëhet me kërkesën e personave, sipas nenit 275 të këtij Kodi.

Neni 281

Masa urgjente

Përpara se kujdestari të marrë përsipër funksionet e tij, i takon gjyqtarit që, qoftë kryesisht, qoftë me kërkesë të prokurorit, të një të afërmi ose të çdo personi të interesuar, të vendosë një kujdestar të përkohshëm ose të marrë masa të tjera urgjente që janë të nevojshme për mbrojtjen e të miturit ose për të ruajtur dhe administruar pasurinë e tij.

Neni 282

 Inventari

            Kujdestari, brenda 10 ditëve pasi ka marrë njoftimin ligjor për emërimin e tij, duhet të

procedojë me inventarin e pasurisë së të miturit. Inventari duhet të bëhet brenda 30 ditëve.

            Me kërkesën e kujdestarit, gjyqtari mund të zgjasë afatin e mësipërm, nëse rrethanat e

kërkojnë atë.

Neni 283

Inventari bëhet në praninë e noterit, me pjesëmarrjen e kujdestarit dhe, nëse është e mundur, të të miturit që ka mbushur moshën dhjetë vjeç, si dhe në praninë e dy dëshmitarëve të zgjedhur nga gjykata, mundësisht midis të afërmve ose miqve të familjes. Gjyqtari mund të lejojë që inventari të bëhet pa praninë e noterit, nëse vlera e supozuar e pasurisë nuk e kalon shumën 50 mijë lekë. Inventari depozitohet pranë gjykatës.

Neni 284

Përmbajtja e inventarit

Në inventar përfshihen pasuritë e paluajtshme, të luajtshme, kreditë dhe debitë dhe përshkruhen dokumentet, shënimet dhe shkresat e lidhura me gjendjen e aktivit dhe pasivit të pasurisë, duke iu përmbajtur formaliteteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.

Neni 285

Nëse në pasurinë e të miturit ka ndërmarrje, shoqëri, shoqëri tregtare ose bujqësore, procedohet sipas legjislacionit përkatës për hartimin e inventarit të ndërmarrjes ose të shoqërisë dhe në përputhje me nenin 283 të këtij Kodi. Ky inventar depozitohet pranë gjykatës dhe i shtohet inventarit të përmendur në nenin 284 të këtij Kodi.

Neni 286

Administrimi nga kujdestari

Para se të bëhet inventari, administrimi i pasurisë nga kujdestari duhet të kufizohet në çështjet që nga vetë natyra e tyre janë të ngutshme.

Neni 287

Pas inventarit, gjykata, me propozim të kujdestarit, vendos për vazhdimin e veprimtarisë, tjetërsimin ose likuidimin e ndërmarrjes, shoqërisë, shoqërisë tregtare ose bujqësore, që janë pasuri e të miturit, si dhe për mënyrat përkatëse dhe masat paraprake. Gjatë gjykimit, gjykata mund të lejojë funksionimin e përkohshëm të ndërmarrjes.

Neni 288

Pasuria e administruar nga kujdestari i posaçme

            Kujdestari duhet të përfshijë në inventarin e pasurisë së të miturit edhe pasuritë, administrimi i të cilave i është dhënë një kujdestari të posaçme. Nëse ky ka bërë një inventar të veçante për këto pasuri, duhet t’i japë kopje kujdestarit, i cili e bashkon me inventarin e përmendur në nenin 284 të këtij Kodi. Kujdestari i posaçme duhet t’i japë kujdestarit kopje të llogarive periodike të administrimit të pasurisë, përveçse kur disponuesi me testament ose dhuruesi e ka përjashtuar këtë.

Neni 289

Deklarimi i debive ose kredive të kujdestarit

            Kujdestari që ka debi, kredi ose deklarime të tjera kundrejt të miturit, duhet t’i bëjë të ditura para mbylljes së inventarit. Kancelari i gjykatës ka detyrimin që ta pyesë lidhur me këto deklarime. Në rast të inventarit të bërë pa pjesëmarrjen e kancelarit të gjykatës, kujdestari pyetet nga gjyqtari lidhur me aktin e depozitimit. Në çdo rast, fakti i pyetjes ose deklarimit të kujdestarit duhet përmendur në inventar ose në procesverbalin e depozitimit

Neni 290

Mungesa e deklarimit

            Kujdestari humbet çdo të drejtë, në qoftë se, duke qënë në dijeni të kredisë ose të të drejtave të tij, nuk i ka deklaruar edhe pse është pyetur shprehimisht. Kujdestari shkarkohet nga detyra kur, duke e ditur që është debitor nuk ka deklaruar

borxhin e tij.

Neni 291

Depozitimi i parave, titujve dhe objekteve

Kujdestari duhet të depozitojë paratë, titujt e kredive te prurësi dhe objektet me vlerë që ekzistojnë në pasurinë e të miturit pranë një banke ose instituti tjetër krediti, të përcaktuar nga gjykata, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos ndryshe lidhur me ruajtjen e tyre. Kujdestari nuk është i detyruar të depozitojë shumat që nevojiten për shpenzimet urgjente lidhur me të miturin.

Neni 292

Kapitalet e të miturit, me autorizim paraprak të gjykatës, mund të investohen nga kujdestari, në rastet që e shikon të përshtatshme dhe në interes të të miturit.

Neni 293

Autorizimi i gjykatës

Kujdestari, pa autorizim të gjykatës, nuk mund:

a) të blejë pasuri, përveç sendeve të luajtshme të nevojshme për përdorim nga i mituri, për

ekonominë shtëpiake dhe për administrimin e pasurisë;

b) të marrë kapitale, të lejojë heqjen e hipotekave ose zgjidhjen e pengut, të marrë përsipër detyrime, me përjashtim të rastit kur këto lidhen me shpenzimet e nevojshme për mbajtjen e të miturit dhe për administrimin e zakonshëm të pasurisë së tij;

c) të pranojë trashëgimi ose të heqë dorë prej saj, të pranojë dhurime ose lekë, që janë me barrë ose me kusht;

ç) të lidhë kontrata qiraje të pasurive të paluajtshme për një afat mbi 9 vjet ose që në çdo rast zgjasin më shumë se 1 vit pasi i mituri ka mbushur moshën madhore;

d) të ngrejë padi, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për kallëzim të një punimi të ri ose të dëmit të mundshëm, të padive të posedimit, ose për nxjerrjen nga shtëpia të qiramarrësit, dhe të padive për kërkimin e fryteve ose për marrjen e masave konservative;

dh) të tjetërsojë pasurinë e të miturit, përveç fryteve dhe të mirave të luajtshme që dëmtohen lehtësisht;

e) të krijojë pengje ose hipoteka;

e) të fillojë procedurën e pjesëtimit të pasurisë ose të ngrejë padinë përkatëse;

f) të bëjë premtime dhe transaksione ose të pranojë marrëveshje.

Neni 294

Shitja e pasurisë

            Në autorizimin për shitjen e pasurisë, gjykata vendos nëse shitja duhet bërë me ose pa

ankand, duke përcaktuar në çdo rast çmimin minimal. Kur në autorizim nuk është përcaktuar mënyra e shpërndarjes ose riinvestimit të të ardhurave të realizuara nga shitja, këtë e vendos gjykata në një autorizim të mëvonshëm.

Neni 295

Veprimet e kryera në kundërshtim me nenet paraardhëse

Çdo veprim që kujdestari kryen në kundërshtim me ligjin është i pavlefshëm.

Kujdestari, i mituri, trashëgimtarët e tij ose personat që kanë interes, mund të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve të kryera në kundërshtim me Kreun I të Titullit V “Kujdestaria” të këtij Kodi.

Neni 296

Ndalimet për kujdestarin dhe kujdestarin e posaçme

Kujdestari dhe kujdestari i posaçme as me ankand nuk mund të bëhen blerës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet personave të tjerë, tëpasurisë dhe të të drejtave të të miturit. Ata nuk mund të marrin me qira pasuritë e të miturit pa autorizimin dhe masat mbrojtëse të vendosura nga gjykata.

Personat e përcaktuar në nenin 295 të këtij Kodi mund të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve të kryera në kundërshtim me ndalimet e përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, me përjashtim të kujdestarit dhe kujdestarit të posaçme që i kanë kryer ato.

Neni 297

Shpërblimi i kujdestarit

Detyra e kujdestarit është pa pagesë. Gjykata, duke pasur parasysh madhësinë e pasurisë dhe vështirësitë e administrimit ose shërbimit për të miturin, mund t’i caktojë kujdestarit një kompensim të arsyeshëm nga pasuria e të miturit. Nëse e kërkojnë rrethanat e veçanta, gjykata, pasi ka dëgjuar kujdestarin e posaçme, mund të autorizoje kujdestarin që të caktojë si zëvendës të tij në administrim, nën përgjegjësinë e tij vetjake, një ose më shumë persona me pagesë.

Neni 298

Mbajtja e kontabilitetit

            Kujdestari duhet të mbajë kontabilitetin e rregullt të administrimit të pasurisë dhe t’i japë llogari një herë në vit gjyqtarit. Gjyqtari mund t’ia nënshtrojë kontabilitetin e administrimit të pasurisë shqyrtimit vjetor nga ana e kujdestarit të posaçme ndonjë të afërmi ose një personi në lidhje krushqie me të miturin.

Neni 299

Përgjegjësia e kujdestarit dhe kujdestarit të posaçme

Kujdestari duhet ta administrojë pasurinë e të miturit me kujdesin e një prindi të mirë. Kujdestari detyrohet të shpërblejë të miturin për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar këtij në kryerjen e parregullt të detyrës, ose për shkak të lënies pa arsye të detyrës së kujdestarit. Të njëjtën përgjegjësi ka edhe kujdestari i posaçme, për aq sa lidhen me detyrat e tij.

Neni 300

Zëvendësimi i kujdestarit

Gjykata e heq kujdestarin dhe e zëvendëson atë me një tjetër kur vëren se ai shpërdoron të drejtat e tij, tregohet i pakujdesshëm në kryerjen e detyrës  që në mënyra të tjera, vë në rrezik interesat e të miturit, si dhe kur vetë kujdestari kërkon largimin e tij për shkaqe të arsyeshme. Kërkesa për zëvendësimin e kujdestarit mund të bëhet nga personat e interesuar ose prokurori. Në këto raste gjykata dëgjon më parë pretendimet e kujdestarit.

Neni 301

Dorëzimi i pasurisë

Me mbarimin e kujdestarisë ose zëvendësimin e saj, kujdestari duhet të bëjë menjëherë dorëzimin e pasurisë së të miturit, sipas rastit, të miturit që është bërë madhor, trashëgimtarëve të tij ose kujdestarit të ri. Brenda 2 muajve nga çasti i mbarimit ose zëvendësimit, kujdestari i paraqet gjykatës llogarinë përfundimtare të administrimit të pasurisë. Gjykata, kur ka shkaqe të arsyeshme, vendos shtyrjen e dorëzimit të llogarisë të këtij afati.

Neni 302

Miratimi i llogarisë

Gjykata thërret kujdestarin e posaçme, të miturin që ka mbushur moshën madhore, nëse është rasti kujdestarin e ri dhe, në rast të vdekjes së të miturit, trashëgimtarët e tij, për të shqyrtuar llogarinë dhe për të bërë vërejtjet përkatëse. Nëse nuk ka vërejtje dhe parregullsi ose mangësi në llogari, gjykata e miraton atë. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim nga kujdestari ose nga personat e tjerë të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni.

Neni 303

Parashkrimi i padive për kujdestarinë

Paditë e të miturit kundër kujdestarit dhe ato të kujdestarit kundër të miturit, për kujdestarinë, parashkruhen brenda 5 vjetëve, pasi i mituri ka mbushur moshën madhore ose ka vdekur. Nëse kujdestari ka paraqitur llogarinë përpara se i mituri të mbushë moshën madhore ose përpara vdekjes, afati fillon nga data kur gjyqtari ka marrë vendim mbi llogarinë. Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen për padinë e pagimit të diferencës që rezulton nga llogaria përfundimtare.

Neni 304

Ndalimi i marrëveshjes para miratimit të llogarisë

            Midis kujdestarit dhe të miturit që ka arritur moshën madhore nuk mund të bëhet asnjë marrëveshje përpara miratimit të llogarisë së paraqitur nga kujdestari. I mituri që ka arritur moshën madhore, trashëgimtarët e tij ose ata që kanë një interes të ligjshëm mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e marrëveshjes së bërë sipas paragrafit të parë të këtij neni.

Neni 305

Regjistri i kujdestarisë

Në regjistrin e kujdestarisë, që ndodhet pranë gjykatës, nën përkujdesjen e kancelarit të gjykatës, regjistrohen vendosja dhe mbarimi i kujdestarisë, përjashtimi ose shkarkimi nga detyra i kujdestarit ose kujdestarit të posaçme, rezultatet e inventarëve dhe të llogarive, raportet vjetore të përcaktuara në nenin 302 të këtij Kodi dhe të gjitha masat që sjellin ndryshime në statusin vetjak ose pasuror të të miturit. Për vendosjen dhe mbarimin e kujdestarisë, kancelari i gjykatës njofton brenda 10 ditëve nëpunësin e gjendjes civile për të bërë shënimin në aktin e lindjes së të miturit.

Neni 306

Mbarimi i kujdestarisë

Kujdestaria mbaron kur fëmija:

a) bëhet madhor;

b) vdes;

c) fiton zotësinë për të vepruar me martesë.

KREU II

KUJDESTARIA MBI PERSONAT QE U ESHTE HEQUR OSE KUFIZUAR ZOTESIA PER TE VEPRUAR

Neni 307

Gjykata, në vendimin për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar, cakton dhe kujdestarin për personin që i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar.

Neni 308

Dispozitat e kujdestarisë për të miturit zbatohen edhe për kujdestarinë e personave, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë Kod.

Neni 309

Kujdestari i personit, të cilit i është hequr zotësia për të vepruar, përfaqëson dhe administron pasurinë e tij, ashtu si prindi përfaqëson dhe administron pasurinë e të miturit që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç. Kujdestari i personit, të cilit i është kufizuar zotësia për të vepruar, jep pëlqimin dhe administron pasurinë e tij, ashtu si prindi jep pëlqimin dhe administron pasurinë e të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç.

Neni 310

Kujdestari i personit, të cilit i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, detyrohet të kujdeset për personin dhe sidomos për mjekimin e tij.

Neni 311

Të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe ndodhet nën përgjegjësinë prindërore, kur i hiqet zotësia për të vepruar, nuk i caktohet kujdestar, por vazhdon të jetë nën kujdesin e prindërve, si i mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç. Kur i mituri bëhet madhor dhe nuk i është kthyer zotësia për të vepruar, gjykata i cakton një kujdestar, që mund të jetë një nga prindërit ose një person tjetër.

Neni 312

Të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, kur ndodhet në kujdestari dhe gjatë kësaj kohe i hiqet zotësia për të vepruar, gjykata i cakton një kujdestar të ri ose vendos që kujdestari i tij të mbajë përsëri këtë detyrë.

Neni 313

Kujdestaria mbi personin, të cilit i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, pushon kur kjo zotësi i është kthyer me vendim të gjykatës.

TITULLI VI

DISPOZITA KALIMTARE

Neni 314

Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë zbatohet për marrëdhëniet juridike të krijuara pas hyrjes në fuqi të tij.

Neni 315

            Bashkëpronësia e bashkëshortëve, e krijuar para hyrjes në fuqi të Kodit të Familjes, mund të ndryshojë me marrëveshje të bashkëshortëve, sipas dispozitave të këtij Kodi.

            Pasuria qe fitohet nga bashkëshortët pas hyrjes ne fuqi te këtij Kodi, rregullohet nga ky Kod edhe për bashkëshortët qe kane lidhur martese para hyrjes ne fuqi te tij.

Neni 316

Për afatet e parashkrimit të padisë, që kanë filluar të ecin para hyrjes në fuqi të këtij Kodi, por që nuk janë plotësuar sipas dispozitave të mëparshme, zbatohen dispozitat e këtij Kodi.

Neni 317

Çështjet që janë në gjykim në datën e hyrjes në fuqi të këtij Kodi gjykohen sipas Kodit të mëparshëm, derisa vendimi të marrë formë të prerë.

Neni 318

Me hyrjen në fuqi të këtij Kodi, shfuqizohen Kodi i Familjes, i miratuar me ligjin nr.6599, datë 29.6.1982, dispozitat e ligjit nr.7650, datë 17.12.1992 “Për birësimin e të miturve nga shtetas të huaj dhe për disa ndryshime në Kodin e Familjes” që vijnë në kundërshtim me këtë Kod, nenet 86 e 87 të Kodit Civil, miratuar me ligjin nr.6340, datë 26.6.1981, si dhe nenet 358-368 e 384 të Kodit të Procedurës Civile, të miratuar me ligjin nr.8116, datë 29.3.1996.

Neni 319

Ky ligj hyn në fuqi gjashtë muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekret nr.3837, datë 17.6.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Alfred Moisiu

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s